Vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, me një letër të përbashkët i janë drejtuar Kosovës dhe Serbisë lidhur me paralajmërimet e këtyre të fundit për protesta, pasi Kosova, nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e vet, transmeton Reporteri.net.
Në thirrjen e tyre, bëhet e ditur se mbështesin tubimet e qytetarëve, megjithatë, se duhet të jenë totalisht paqësore.
“Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian marrin parasysh protestat e planifikuara sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të gjendjes ose dhunës. Qytetarët kanë të drejtën për tubim paqësor si dhe përgjegjësinë për të siguruar që tubimet e tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme. Ndër vlerat tona të përbashkëta demokratike janë, e drejta për tubime paqësore dhe për të dëgjuar zërin tonë, të drejta të cilat zbatimi i ligjit është përgjegjës për t’i mbrojtur”, thuhet në reagimin e tyre, përcjell Reporteri.net.
“Organet e zbatimit të ligjit e kanë detyrim të ruajnë rendin publik dhe do të duhej ta bëjnë këtë pa shkelur parimet demokratike të lirisë së shprehjes dhe të tubimit. Quint-i dhe BE-ja gjithashtu i përsërisin thirrjet e tyre Kosovës dhe Serbisë për të vepruar në mënyrë të matur dhe të përmbahen nga çfarëdo retorikë apo veprim që do të mund të ngritë tensionet”, përfundon thirrja.
Nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, i cili është gjithashtu kryetar i Komunës së Shtërpcës, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, tha se të premten (më 25 mars), serbët në jug dhe në veri të Ibrit do të mbajnë protesta paqësore me mesazhin “askush në shekullin e 21-të nuk i mohon të drejtat themelore të njeriut”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka radhitur një varg siç i ka quajtur ai vështirësish, lidhur me kërkesën e autoriteteve të Serbisë që Kosova të bashkëpunojë me OSBE-në për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Në letrën e tij dërguar ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, Kurti ka vlerësuar se Beogradi në kërkesën e tij as që e përmend Qeverinë e Kosovës, por e quan atë “autoritet relevant qeverisës të Kosovës”. Sipas Kurtit, është për keqardhje që derisa Kosova punon me BE-në dhe vendet e Quint-it për të gjetur një zgjidhje të pranueshme ndërmjet dy qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të organizojnë zgjedhje në Kosovë sikur të mos ekzistonte Qeveria e saj.
“Është për keqardhje që, derisa Kosova është duke punuar në mirëbesim me BE-në dhe Quint-in për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme ndërmjet qeverive tona, strukturat ilegale të Serbisë po mundohen të përgatisin dhe të organizojnë zgjedhjet në territorin tonë sikur të mos ekzistonte Qeveria jonë. Dhe janë duke e bërë këtë me financim nga Beogradi, natyrisht. Kjo mbase është arsyeja pse propozimi (në paragrafin e tij të parë) përcakton se zgjedhjet “do të mbahen”, në vend që të kërkojë që të mbahen, duke e marrë kështu si të mirëqenë kompetencën e Beogradit për të vendosur në lidhje me territorin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit.
Kurti po ashtu ka theksuar se Beogradi në kërkesë e tij e përdor termin “votues me të drejtë vote” në vend se ta përdorte “votuesit jashtë vendit. Sipas tij, është e rëndësishme që kjo përpjekje e Serbisë të mos legjitimohet nga autoritetet e BE-së apo OSBE-së.