Sot gjatë seancës e cila po mbahet në Kuvend, ministri i Financave, Hekuran Murati tha që janë mbështetur qytetarët me 230 milionët e ndara, por Hykmete Bajrami e ka sfiduar ministrin Murati që të publikojë listën e 50 top përfituesve të këtyre 230 milionëve.
“Çdo taksapagues i këtij vendi ka të drejtë të dijë kush ka përfituar n’vitin 2021 nga 230 milionë eurot e ndara nga Qeveria. Bizneset jo! Bujqit jo!Qeveria po thotë qytetarët – le t’i tregojë kush janë përfituesit? Ne nuk po e dimë. Qeveria e di dhe duhet të tregojë!“, ka shkruar ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.
Murati tha se janë ndarë 120 milionë për subvencionimin e rrymës, 45 milion euro janë ndarë për subvencionimin e familjeve, 25 milionë euro shtesë janë dhënë për pensionistët. Ndërsa, dhjetë milionë euro janë ndarë për subvencionimin e skemave të asistencës sociale dhe për rritjen e rezervave shtetërore si dhe 10 milionë për bujqësi.