Dy shtetasit e Kosovës, Besart Hoxha 25-vjeçar dhe Liridon Musliu 26-vjeçar, tashmë janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni i Policisë është zhvilluar në Prishtinë dhe Gjilan.
“Policia e Kosovës, konkretisht sektori për krime kibernetike, në koordinim me autoritetet kompetente ka ndërmarrë veprime të nevojshme sipas autorizimeve dhe ka realizuar kontrollet në dy lokacione, me ç‘rast janë konfiskuar, dy vetura, kompjuterë, lap-top, shtëpiza kompjuteri, telefona celularë, USB, fotoaparat si dhe dokumente të ndryshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj nga komuniteti shqiptar dhe të njëjtit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë thonë se rasti është në fazën e hetimit dhe se është rezultat i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, në këtë rast me autoritetet e SHBA-së.
“Mund t’ju konfirmojmë se veprat penale për të cilat dyshohen të dyshuarit B.H dhe L.M, janë konspiracion për t’u angazhuar në organizatë të korruptuar e të ndikuar nga repetimi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. Aty theksohet po ashtu, se këto vepra janë të dënueshme sipas Kodit të Shteteve të Bashkuara.
“Falsifikimi i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës nga neni 293, paragrafi 4 të KPRK-së, Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit nga neni 307, paragrafi 3 të KPRK-së dhe Hyrja në sistemet kompjuterike nga Neni 339, paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Në këtë rast, sipas Prokurorisë ka edhe gjëra të sekuestruara që ndërlidhen me veprat penale për të cilat dyshohen të arrestuarit.
Njëzetegjashtëvjeçari Liridon Musliu ishte bërë anëtar i kësaj organizate më 19 gusht 2011, dhe njihet me nofkat “Ccstore”, “Bowl” dhe “Hulk”.
Kurse, Besart Hoxha 25- vjeçar, ishte anëtarësuar në këtë organizatë në janar të vitit 2011 dhe vepronte me nofkën “Pizza”.
Përveç dy kosovarëve, pjesë e akuzës është edhe një shtetas i Serbisë, 32-vjeçari Miroslav Kovaçeviq, kurse si pjesë e grupit përmendet edhe një person me emrin Aldo Ymeraj.
Në akuzën e Departamentit amerikan të Drejtësisë thuhet se grupi punonte nën moton “In fraud we trust” (Në mashtrim besojmë – një lojë fjalësh me mbishkrimin në bankënotat e dollarit amerikan In God we trust) dhe ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar nga Ukraina.
Autoritetet thanë se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit nuk ishin takuar kurrë mes vete, ndërsa e njihnin njëri-tjetrin me nofkat në internet.
Nga 36 të akuzuarit, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.