Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila po qëndron në Hagë në vizitë për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim, ka shkruar rreth masakrave të kryera nga serbët në Pastaselë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës që kanë ndodhur 23 vjet më parë.
Ajo ka deklaruar se “bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë”.
Në këtë postim që e ka publikuar në Facebook, ajo nuk ka përmendur vizitat e saj në paraburgimin e Speciales.
“Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë”, shkroi ajo.
Haxhiu tha se “23 vjet më parë Kosova po përjetonte gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile”.
“Një pranverë e cila po karakterizohej me operacione shoviniste të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare. Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Në Burim (Joviq) të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç”, shkroi ajo.
“Drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe për popullin e Kosovës. Institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ministrja Haxhiu dje ka nisur vizitat në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, derisa ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Vedseli nuk kanë pranuar të takohen me të.
Siç ka njoftuar MD-ja, vizitat te të akuzuarit e Speciales që po mbahen në paraburgim do të zhvillohen edhe të premten.