Në shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” dje është raportuar se është vendosur një ikonë e cila ndalon mbulesën në ambientet e kësaj shkolle.
Kjo bëri bujë të madhe dhe pati reagime të shumta, në të cilat dënohej ky akt diskriminues.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ku ka thënë se ky veprim është diskriminues, paragjykues dhe kundër të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sepse, sipas KMDLNJ -së selektimi i vetëm një besimi është i pa pranueshëm, sepse të gjithë kanë të drejtë që ta praktikojnë besimin e tyre.
“Bartja e shamisë pati nxitur shumë debate sidomos viteve të fundit dhe KMDLNJ -ja ka kërkuar të rregullohet specifikisht me ligj kjo çështje ndërkaq konsideron se vajzave dhe femrave që kanë bartur shami u janë shkelur të drejtat e njeriut, si në shkollë ashtu edhe gjatë konkurimit për një vend pune ku përcaktuese për mospranim nuk ka qenë mospërgatitja profesionale por bartja e shamisë ndonëse në vendim për refuzim nuk thuhet ashtu”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNJ -së në Kosovë ekziston ligji i cili rregullon çështjen e praktikimit të feve, prandaj ata kanë thënë se ky veprim në këtë shkollë është në kundërshtim me të drejtat e njeriut. /Zëri