Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, priti në takim Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Gjatë takimit, Ministri Murati dhe Kryetari Rama diskutuan lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në mes të nivelit qëndror dhe atij lokal. Ministri Murati e informoi Kryetarin Rama mbi marrëveshjen ndërkombëtare që pritet të nënshkruhet në mes të MFPT-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike komunale, ku njëra nga komunat përfituese do të jetë edhe Prishtina. Në këtë linjë, z. Rama u njoftua për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndërmirren nga komuna, kurse në anën tjetër z. Rama e mirëpriti marrëveshjen dhe u zotua që do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për implementimin e saj.
Përgjatë takimit, gjithashtu, u diskutuan edhe tema të tjera si menaxhimi i financave publike dhe raporti në mes të nivelit lokal dhe MFPT-së.
Së fundi, Ministri Murati dhe Kryetari Rama ishin të një qëndrimi që të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë lokal e qëndror dhe të shtyhet përpara interesi i qytetarëve.