Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se rritja e pagave apo çdo punësim i ri, duhet të bëhet brenda limitit të rregullës së re për fondin e pagave.
Ruud Vermeulen, përfaqësues rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, është shprehur se “punësimet e reja, duke përfshirë ato në sektorin e drejtësisë dhe shëndetësisë si dhe një rritje modeste e rrogave e paraparë për vitin 2018, mund të bëhet në pajtim me rregulloren për fondin e pagave”.
Më tutje, ai tha se rritja e madhe e rrogave në disa sektorë publikë do të krijojë pakënaqësi dhe presion për rritje të rrogave në sektorët e tjerë, që mund të rrezikojnë rregulloren e pagave.
“Po ashtu, do të rrezikojë mundësinë e punësimeve të reja që janë me prioritet”, ka thënë Vermeulen.
Ndryshe, në fund të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, ndërkaq më pas edhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë.
Ky vendim më pas ishte pezulluar nga vetë kryeministri Haradinaj, pas një vërejtjeje që kishte parashtruar Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila e kishte cilësuar vendimin e kryeministrit si të paligjshëm.
Ndërkohë, partitë opozitare vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.