Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se nesër nuk do të ketë grevë në institucionet arsimore dhe ato kulturore ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë.
Ai tha se të mërkurën e 20 prillit është afati i fundit në të cilin priten bisedimet me Qeverinë.
“Vendimi i kongresit ka qenë që deri me 20 prill është data kur priten bisedat, takimet dhe pas kësaj date, nëse asgjë nuk ka, asnjë lëvizje atëherë thirret edhe Këshilli Drejtues dhe e definon qartë si do të duket greva, do të thotë që ne e kemi opsion të hapur, por ne po presim dhe pastaj shohim a ka ndonjë lëvizje. Po presim me kalu 20 prilli pastaj ne me e thirr Këshillin Drejtues dhe ne me raportu me përfaqësuesit tonë, pra unë dhe të tjerët se a kemi pasur takime dhe cilat janë gjasat, ata vendosin në bazë të kësaj dhe e definojnë, ashtu siç ata e definojnë, në veprojmë”, u shpreh ai.
Jasharaj u shpreh më tutje se nëse fillojnë bisedimet, atëherë gjatë kohës së tyre nuk do të ketë ndonjë veprim sindikal.
Por, kryesindikalisti i arsimit shpreson se Qeveria do të ndërmarrë masa në këtë drejtim, sepse sipas tij zgjidhja e vetme është arritja e një marrëveshjeje.