Komuna e Kamenicës ka organizuar aksionin “Për një Kamenicë të Pastër” në tërë territorin.
Këtij aksioni i janë bashkuar Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, Nënkryetari Faton Jakupi, Drejtorët e Drejtorive Komunale, zyrtarë komunalë, Policia e Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it, pjesëtarë të FSK-së, nxënës dhe mësimdhënës të shkollave, mjekë e infermierë, si dhe qytetarët.
Në këtë aksion i cili ka përfunduar me sukses janë pastruar tri deponi ilegale, qyteti i Kamenicës, parqet, fshatrat, rrugët, shkollat si dhe janë mbjellur 123 drunjë dekorativ në parqe dhe hapësira publike.
Komuna e Kamenicës falënderon Forcat e Sigurisë së Kosovës-FSK që i dhuruan komunës 163 fidane dhe 50 drunjë dekorativ. Fidanet do të mbjellen në Koretin afër lumit.
Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka thënë se aksioni i sotëm ishte një sensibilizim për të gjithë që ta ruajmë dhe ta mbrojmë ambientin në të cilin jetojmë.
“Të gjithë ne duhet të kemi më shumë kujdes ndaj ambientit në të cilin jetojmë, andaj me aksionin e sotëm ne u munduam që të pastrojme hapësirat në të cilat kishte më shumë nevojë. Aksione të tilla janë të mirëpritura dhe secili nga ne duhet t’iu bashkohet”, ka thënë ai.
Aksioni ka filluar në orën 10:00 dhe ka përfunduar në orën 12:00. Ndërsa ky aksion do të vazhdoj deri në pastrimin e të gjitha deponive ilegale.