Sindikata e bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka vendosur që të zhvillojë një orë mësimi grevë më 14 shkurt e dy orë më 20 shkurt.
Kjo vjen si rezultat i pakënaqësive në mos përmbushjen e memorandumit që e kishin nënshkruar në fushatën zgjedhore Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli në emër të koalicionit PAN.
Në takimin e Këshillit Drejtues të SBASHK’ut u vendos që të nisë greva nëpër shkolla.
Këshilli Drejtues i Sindikatës së Arsimit, Shkencës e Kulturës vendosi që më 14 shkurt në të dy ndërrimet nëpër shkollat e Kosovës të bojkotohet ora e parë e mësimit.
Këshilli e ndërmori këtë masë, pasi sipas SBASHK’ut qeveria nuk zbatoi marrëveshjen e nënshkruar më 5 qershor 2017.
Marrëveshja lidhej me statusin e mësimdhënësve të viteve ’90.
Greva, sipas SBASHK’ut, do të përshkallëzohet me bojkotim të dy orëve në dy ndërrimet më 20 shkurt.
SBASHK’u pret mirëkuptim nga prindërit dhe nxënësit për grevat e paralajmëruara.