Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje për futbollin e Kosovës, ndërsa njëri ndër vendimet ishte largimi nga puna i Eroll Salihut.
Pas disa vendimeve, krejt në fund, FFK tregoi se ka shkëputur marrëdhënien e punës me ish-sekretarin gjeneral, Eroll Salihun.
“KE pas shqyrtimit të shkeljeve disiplinore nga ana e Eroll Salihut, drejtor sportiv dhe Këshilltar i lartë ligjor mori vendim që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe i njëjti do të njoftohet në formë të shkuar”, thuhet në njoftim.
Eroll Salihu në kohën e fundit ishte kthyer në ‘opozitë’ të udhëheqësisë aktuale të FFK-së. Ai e kishte quajtur Kuvendin Zgjedhor për kryetar të FFK-së si të paligjshëm.
Salihu për kohë të gjatë ishte sekretar i përgjithshëm i FFK-së, ndërsa pas konfliktit të vazhdueshëm me Agim Ademin kaloi në pozitën e drejtorit sportiv dhe Këshilltarit të lartë ligjor.
Salihu ishte supenduar para një kohë për deklaratat e tij në emisionet televizive, ku në theks të veçantë sulmonte kryetarin Agim Ademi, pasi raportet mes tyre ishin prishur. /Telegrafi/