Në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit” dhe në përgjigje të ftesës së Forumit për Transparencë Parlamentare, mbështetur nga NDI dhe moderuar nga Albana Rexha, përfaqësuese e Demokraci Plus, dhjetëra qytetarë të rajonit të Gjilanit u mbledhën sot në sallën e Kuvendit Komunal për të diskutuar më deputetë të këtij rajoni.
Në takim u diskutua për çështje të ndryshme që lidheshin me kërkesat dhe preokupimet e qytetarëve, si të nivelit lokal ashtu edhe ato të nivelit qendror, çështje të cilat u adresuan te deputetët e pranishëm.
Deputetët Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Rashit Qalaj dhe Valentina Bunjaku Rexhepi, duke i falendëruar qytetarët për pjesëmarrjen e tyre, takimin e vlerësuan si mundësi shumë të mirë që të njihen më afër me shqetësimet e qytetarëve të Gjilanit dhe të adresojnë kërkesat dhe nevojat e tyre në Kuvend.
Nga ana e qytetarëve u shtruan pyetje e u dhanë propozime të shumta, që lidheshin me çështje dhe problematika të ndryshme, si: ndërtimi i magjistrales Prishtinë-Gjilan, problemi i migrimit të rinisë, rritja e buxhetit komunal, gjuha parlamentare, rregullimi me ligj i pensionimit të parakohshem për kategori të veçanta, mungesa e promovimit të qendrave për aftësim profesional etj.
Përfaqësuesit e zgjedhur nga ky rajon, u zotuan se siç kanë bërë deri më tani, do vazhdojnë t’i adresojnë kërkesat, nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve, si në seancë plenare, ashtu edhe në komisione parlamentare e deri tek ministritë e linjës.
Ata gjithashtu inkurajuan qytetarët që të mos hezitojnë t’u drejtohen atyre, qoftë nëpërmjet pyetjeve në ueb-faqen të Kuvendit, qoftë nëpërmjet adresave të tyre personale të emailit apo mjeteve të tjera të kontaktit, për çdo çështje apo problematikë, që ata konsiderojmë se duhet adresuar në instanca gjegjëse.