Është rikthyer në shkollat e Gjilanit kontrolli sistematik i nxënësve, i cili ishte pezulluar për shkak të pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka filluar në shkollën “Selami Hallaqi”, përkatësisht te nxënësit e klasave të nënta.
Në emër të kryetarit Alban Hyseni ka folur nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, e cila ka thënë se prioritet i qeverisjes është shëndetësia dhe mirëqenia e qytetarit.
“Ne jemi të vetëdijshëm për kontrollin sistematik për përkujdesjen ndaj gjeneratave të reja, nxënësve tanë. Mirëpo, pa qenë një bashkëpunim i mirëfilltë mes prindërve, mësimdhënësve e nxënësve, ky kontrollim nuk do të ishte realizuar. I falënderojmë të gjithë akterët që po angazhohen për të parandaluar çdo sëmundje ose patologji me të cilat mund të ballafaqohen nxënësit tanë. Si institucione kujdesemi që shëndeti i fëmijëve të jetë prioritet i prioriteteve”, ka thënë nënkryetarja Morina Bunjaku.
Kontrolli sistematik i nxënësve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ku përfshihen të gjithë nxënësit e shkollave nga klasat 1-9.