SBASHK-u i ka dërguar shkresë zyrtare ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci duke e njoftuar për grevën paralajmëruese njëorëshe të 12 majit, por edhe për veprimet e tjera shumë më radikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit nëse ekzekutivi vazhdon të hesht ndaj kërkesave legjitime të tyre.
SBASHK-u thotë se Qeveria, edhe pas premtimeve se do të ketë dialog përmbajtjesor, nuk bëri as edhe një hap konkret, prandaj ka vendosur të mbajë grevë paralajmëruese në të gjithë sektorin e arsimit, që nga çerdhet e deri edhe në universitete, duke mos përjashtuar edhe veprime më radikale pas kësaj date.
Po në këtë shkresë, SBASHK i ka ripërsëritur kërkesat që Qeveria të vazhdojë me shtesën në pagë prej 100 euro për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e SBASHK, të fillojë zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, Plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, Ligji nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te neni 8, paragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999 dhe formimi i komisionit, i cili do të ulet ne tavolinën e negocimit me SBASHK-un që të gjej zgjidhje për kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës.
SBASHK fton Nagavcin për angazhim dhe takime me përfaqësuesit e saj për të debatuar shtruar për gjithë këto çështje, për ta informuar edhe për protestën e 20 majit e për t’u angazhuar bashkërisht në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për çështjet e ngritura.
SBASHK apelon te të gjithë anëtarësia që të bëjnë përgatitjet e duhura për pjesëmarrje masive në protestën e 20 majit bashkë me sindikalistët nga sindikatat e tjera anëtare të BSPK-së duke uruar që Qeveria të ofrojë zgjidhje të pranueshme për kërkesat e tyre që i quajnë legjitime e për të mos pasur nevojë që të fillohet me grevën e përgjithshme në tërë sektorin arsimor.