Një ditë para ndeshjes së 35-të kampionale, FC Prishtina – FC DRITA, klubi ynë ka mbajur konferencë për media, ku u paraqitën Drejtori Sportiv i klubit, Valon Zymberi dhe kryetrajneri, Ardian Nuhiu.
Në këtë konferencë u diskutua edhe për vijueshmërinë e kampionatit, arritjet e klubit tonë, projektin në kampionatin e ri dhe rinovimin me trajnerin Nuhiu.
Drejtori Sportiv, Valon Zymberi theksoi se vazhdimi i kontratës për tri vitet e ardhshme erdhi si rezultat i një pune dhe ecurie të suksesshme, falë bashkëpunimit të mirëfilltë dhe profesionalizmit të tregruar.
“Nënshkrimi i kontratës me trajnerin është një vazhdim i një projekti të cilin bashkarisht e kemi përpilu që nga dita e parë që trajneri ka ardh te DRITA, kemi qenë shumë të qartë me kërkesat dhe punën që ne e kërojmë. Sigurisht, që edhe vizioni dhe profesionalizmi i trajnerit Nuhiu ka funksionuar në perfeksion dhe sukeset e arritura deri më tani kanë sjellë këtë kontratë, pa e vënë fare në dyshim vazhdimin. Një kontratë e tillë është rezultat i një bashkëpunimi të mirëfilltë, ku falë një periudhe të suksesshme është arritur ajo që kemi pasur për qëllim që nga dita e parë e ardhjes së trajnerit. Kjo ecuri erdhi falë punës dhe profesionalizmit të trajnerit, por edhe shtabit teknik, të cilët ndër vite e kanë tregur punën e tyre”, ka thënë drejtori, Valon Zymberi.
Drejtori Sportiv, Valon Zymberi shtoi se synimet e DRITËS për edicionin e ri, por edhe vitet në vazhdim do të jenë titujt, trofetë dhe garat ndërkombëtare.
“Padiskutim ne e kemi të qartë projektin nëpër të cilin do të kalojmë. Do të jemi klub që luftojmë për tituj, trofe dhe krahas tyre edhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare. Vizioni ynë si klub qëndron edhe në ngritjen e vazhdueshme të performancës, afrimi i lojtarëve të rinj në moshë dhe promovimi i tyre në Evropë. Fokusi ynë është paraqitja në arenën ndërkombëtare dhe pse jo DRITA të jetë një trampolinë që ofron futbollistë për klube në tregun ndërkombëtar. Kështu do të krijohej edhe një rrjetëzim dhe bashkëpunim i klubit tonë me klube të mëdha me renome, kjo do ta arsyetonte edhe më mirë pjesëmarrjen në Evropë”, përfundoi drejtori sportiv, Valon Zymberi.
Ndryshe, ndeshja e xhiros së 35-të, FC Prishtina – FC DRITA zhvillohet nesër e diele, ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.