Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se projektligji i propozuar nga ky grup parlamentar për tërheqjen e trustit nuk do të mbahet të mbledhjen e së enjtes, pasi siç tha ai, ende ndodhet në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
“Kemi pritur që në këtë mbledhje të kryesisë të trajtohet projektligji i propozuar nga PDK-ja për tërheqjen e trustit, një çështje e tillë ende qenka në Komisionin për Buxhet dhe Transfere. Ne kërkojmë që komisioni të reagojë sa më shpejtë, që ne të procedojmë sa më shpejt për seancën e radhës. Pra të enjten nuk do të jetë e mundur të trajtohet ky projektligj i shumëpritur nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai tha se me gjasë do të hyjë në rend dite në mbledhjen tjetër, duke shtuar se jeta në Kosovë është jashtëzakonisht e shtrenjtë dhe se tërheqja e një shume të caktuar nga trusti do ta lehtësojë sadopak krizën që e ka kapluar ekonominë e Kosovës.
Ndërkaq Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, tha se në mbledhjen e së enjtes do të ketë debat për siguri.