Komisionit për Integrim Evropian në Republikën e Shqipërisë
Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i prirë nga Rrezarta Krasniqi, kryetare, realizoi një vizitë pune në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Komisioni fillimisht u takua me zëvendëskryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj, pastaj vazhduan takimin me Komisionin për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, të kryesuar nga Jonida Tabaku.
Anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës, u takuan edhe me Komisionin për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Mimi Kodheli.
Pas takimeve në Kuvendin e Shqipërisë, anëtarët e Komisionit patën një takim edhe në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme, ku u pritën nga zëvendësministrja e kësaj ministrie, Megi Fino.
Komisioni gjatë takimeve shprehu mirënjohje për kontributin që Shqipëria ka dhënë deri më tani për Kosovën në proceset integruese, me theks të veçantë në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Anëtarët e Komisionit, gjatë diskutimeve kërkuan nga deputetet e Kuvendit të Shqipërisë që ta mbështesin edhe më tej Kosovën dhe të avancojnë bashkëpunimin e ndërsjellë.
Gjatë takimit, u theksua nevoja e bashkërendimit ndërinstitucional dhe shtetëror i agjendave, lidhur me qëndrimet që do të mbahen në forumet ndërkombëtare.
Po ashtu, u diskutua edhe për një lobim të koordinuar, veçanërisht te 5 shtetet që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
Me këtë rast, anëtarët e Komisionit, rëndësi të posaçme i kushtuan edhe liberalizimit të vizave si, dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkaq theksuan se, Shqipëria është e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit me Kosovën në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe bashkëpunimin parlamentar dhe u shprehën të gatshëm që të ndihmojnë dhe përkrahin atë, t’i intensifikojnë përpjekjet me veprime konkrete, duke i bashkërenduar veprimet dhe duke realizuar takime edhe me të shpeshta.
Gjatë kësaj vizite, në të gjitha takimet që realizoi Komisioni, u vlerësua se duhet punuar edhe më tepër duke formuar një mekanizëm të përbashkët, jo vetëm në nivel komisionesh, por edhe më gjerë.
Komisioni, gjatë vizitës së tij në Republikën e Shqipërisë, ishte i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi.