Kujtojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia emërtuan nismën për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 2019, si nisma “Ballkani i Hapur”, ndërsa janë ftuar që pjesë e saj të bëhen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, por, siç dihet, deri më tani këto tri vendet e fundit, kundërshtojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Ndërkohë që kryeministri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka konfirmuar më 26 maj të këtij viti, se do të marrë pjesë në takimin e radhës së iniciativës “Open Balkan (Ballkani i Hapur)”, i cili në qershor do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Mali i Zi nuk i është bashkuar kësaj iniciative, por në të kaluarën ka marrë pjesë në takimet si vëzhgues.
Lidhur me këtë çështje në RTK Prime, Ibrahim Gashi, profesor universitar, Berim Ramosaj, profesor universitar, si dhe Ardian Arifaj, analist politik, diskutojnë për nismën “Ballkani i Hapur”.
Profesor Gashi theksoi se kjo nismë qe filluar që nga 2019-ta, por e kundërshtuar shumë në Kosovë, ndërkohë e pranuar në Shqipëri.
“Arsyeja e kundërshtimit duhet kërkuar në historikun e Ballkanit, prandaj nisma dukej shumë pretencioze dhe një nismë e tillë me ndikimin e Berlinit, qe, thuajse, i njëjti synim, por nuk pati rezultate të mëdha, pikërisht për shkaqe historike, prandaj këto marrëdhënie u dukën si shumë avangarde për kohën, prandaj pati kundërshti, sidomos nga Kosova, që si problem ka çështjen politike, në radhë të parë mosnjohjen e Kosovës nga Serbia, që e bën Kosovën si anëtare e pabarabartë, prandaj shihet si problem”, tha profesor Gashi .
Ndërsa profesor Ramosaj, lidhur me këtë çështje foli në aspektin ekonomik, ku, sipas tij, lëvizja e lirë e mallrave, e njerëzve, etj., në “Procesi Berlinit” qe garantuese që Kosova të ishte e barabartë, ndërsa në “Open Ballkan”, sipas tij, Kosova nuk konsiderohet si e tillë.
“Në plan të parë duken si inkurajuese këto nisma dhe shikohen si me paragjykim, ndërkohë që me “Open Ballkan”, si nismë pas “Procesit të Berlinit”, kjo e dyta sikur është harruar, sidomos me largimin nga skena politike e Merkelit”, tha, mes tjerash, profesor Ramosaj.
Ai më tej sqaroi se “sado që kjo nismë ka kuptimin e lirisë se lëvizjes të njerëzve e të mallrave, megjithatë kjo nismë u pa se ishte e Serbisë, me personalizim nga Vuçiqi e Rama, që të paraqiteshin si “karshillëk” ndaj BE-së, se edhe ne mund të bëhemi bashkë, sado që theksonin se kjo ide nuk është në kundërshtim me nismën e Berlinit dhe të BE-së”.
Ai, më tej, theksoi se në aspektin ekonomik kjo nismë na gjen në pozicione të ndryshme, sepse, sipas tij, që të tria vendet kanë strukturë të ndryshme ekonomike e, në këso situatash fiton ai që është më i forti. Në këtë aspekt, Serbia është më në favor, sesa ne.
Ndërkaq analisti politik, Ardian Arifaj, shtroi një qasje më ndryshe lidhur me këtë çështje. Ai theksoi se Shqipëria nuk duhet konsideruar se është kundër Kosovës, ngase është provuar shumë herë krah nesh.
“Kjo nismë, meqë është tejet e ndërlikuar, Kosova kundërshton, sepse nuk është koordinuar mes Shqipërisë e Kosovës, ngaqë takimi i parë ka qenë në Novi Sad dhe Kosova nuk ka mundur të merrte pjesë atje, sepse nuk është lejuar, ngase, dihet, raportet Kosovë- Serbi. Në CEFTA, Kosova nuk është trajtuar e barabartë, por mbi të gjitha, ajo që shihet me skepticizëm është se të gjitha këto gjëra po vijnë si zëvendësim për integrimin në BE”, deklaroi Arifaj në RTK Prime.
Ai, mes tjersh, theksoi se: “BE nuk është e gatshme të flasë për zgjerim, pse e si, nuk duhet thelluar me tutje, por prandaj përmenden këto nisma si ajo e Berlinit dhe kjo e “Ballkanit te Hapur”, e kjo e fundit po mbështetet edhe nga SHBA, që favorizon këtë nismë./Rtklive/