Shkruan: Çun Lajçi
Eh n’çfar derexhe ke ra!
Temperatura kishte shkua mbi 30 gradë. Qyteti kishte ra n’heshtje.
Mbasi shikova rreth e rrotull, nxuna vend n’hijen e ndertesës se vogël, para të cilës ndodhej nji fontanë, qe nuk funksiononte.
Kafiteritë, si vagona treni, e kishin ngulfatë edhe atë grimë Shesh që e ka Gjilani! Ne nji bankë kalimtarësh i rradhita do libra e kuferin e lash t’hapun, si gojë arushe!
U krrusa mbi libra tue ia shkundë vetës mërzinë n’telat e sharkisë.
Rrugët e fjalët e njerëzve e kan nji t’përbashkët: Nuk arrinë kurrë t’i shkelësh!
“Ehhhh ne çfar deregje ke ra”, keështu kishte shkrua dikush tek nji fotografi e imja, n’Shadërvanin e Prizrenit, e kjo m’kishte thellua n’mendime!
Çka mund t’kem ba i thosha vetës?
Kam shitë djersen time! Shpirtin e mendjen e kam shtrua n’libra, dhe ato i kam shitë rrugëve!
S’kam sha!
S’kam kërkua bukë as shishe plastike kantave të plehut!
S’kam ecë cullak! As i droguem as i dehun!
Pse me shkrua përfundi fotos sime me libra “ehhhh n’çfarë deregje ke ra”!
Ulem n’bankën e kalimtarëve dhe e shikoj kamarierin që shërben, ekspreso, makiato, ujë, langje! Secili e falenderon për shërbimin. Asnjeni si thotë: Eh, n’çfarë deregje ke ra! Jo! Se ai e shet prodhimin e vet, si unë librat e mi!
Qeshi! M’shkon mendja të gjinokologu. Të urologu! Ata i fusin duert çdo kund dhe kurkush s’iu thotë: Eh, n’çfarë deregje ke ra!
Mua po! Mua që s’ia vjedhi kurkujt djersën. S’ia stërshes tokën. S’ia nxa rrugën. S’ia marr punën. As pazarin s’ua prishi.
Të tjerët i shesin librat nga 7, 25, 30 euro, unë nga 15-të, se kaq e vlerësoj dien time! Dhe, çohet nji dikush-kurkushi, e m’thotë: Je artist, e mirë po e luen viktimen. Tash prit se t’falin njerëzia pare!
Ia shikoj profilin. Asht djalë i ri. Ah, ofshajë! Po t’mos isha ky që jam, pata me t’thanë: Ti, mos m’fal pare, po falma nanën!
Por jo!
S’ma lejon etika. Atij aq ia pret kosa!
Xhaxhi! A je ti autori, i këtyne librave? Me pyesin motër e vëlla, fëmijë dhetëvjeçarë! Po u them, dhe i lus ta marrin nga nji libër dhuratë nga artisti!
Farmacistja Njomëza Jashari, afrohet me nji trendafill t’kuq.
Mënxi kam pritë me t’pa me ket kufer, m’thotë dhe me merr ngrykë. Ulet pranë librave e m’shikon e humbun! E hetoj se asht e dëshpërueme. Ajo s’ma thotë, por i flasin sytë e saj! E këshilloj si Bubën time të ndjerë: Mos u dorëzo! Mos lejo me t’shkelë! Bahu qëndresë. Buzëqesh edhe kur zemra t’qanë!
I merr “Troshat e Bubulinën dhe ikë!
Bashkëatdhetari nga Suedia i merr katër tituj dhe unë i them birit tim, Leartit, merre kuferin se mjafton për sonte. Kosovarja, nusja e tij e merr sharkinë dhe afrohemi ngadalë të vetura!
Dardani, 02.06.2022