Afaristi N. Grabovci, djali i vëllait të ish-deputetit Adem Grabovci, është gjetur i vdekur brenda një veturë në Prishtinë të enjten.
Policia e Kosovës ka thënë se vdekja e 50-vjeçarit është konstatuar sot rreth orës 12:00 nga mjekët emergjentë në vendin e ngjarjes, në lagjen “Kalabria” të kryeqytetit.
Siç raporton sot mediumi Sinjali, ai është gjetur i gjakosur në veturën e tij të tipit BMW X5 me një armë zjarri në dorë.
Bazuar në informatat e para, Policia e Kosovës dyshon për elemente të vetëvrasjes.
“Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit“, tha sot zëdhënësi i policisë, Agron Borovci.
N. Grabovci, ishte ortak në biznes me djemtë e Adem Grabovcit: Ngadhnjimin dhe Guximin. Ata drejtonin një kompani private që merrej me ndërtime banesore, raporton Paparaci.
Ai i kishte mbushur 50-vjeç në mars të këtij viti.