Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë thënë se janë duke hulumtuar bashkë me GIZ’in, në reduktimin e qeseve plastike.
Zyrtarja për Informim e kësaj ministrie, Valdete Tahiri-Azemi i ka thënë se kanë folur edhe me bizneset e qeseve plastike dhe shitësit me pakicë. Sipas saj, të gjithë janë pajtuar që të bëhet reduktimi i tyre.
“MMPHI në bashkpunim dhe në mbështetje me GIZIN është duke hulumtuar në reduktimin e qeseve plastike, njëkohësisht janë kontaktuar edhe bizneset e qeseve plastike dhe shitesit me pakicë dhe të gjithë janë dakorduar që të bëhet reduktimi i qeseve plastike”, ka thënë Tahiri-Azemi.
Veprimet për redukimin e qeseve plastike, Ministria thotë se do të ndërmerren varësisht nga rekomandimet që do të dalin nga draft-dokumenti, që do të punohet pas hulumtimit të ekspertëve që ka angazhuar GIZ.
“Nga hulumtimi i ekspertëve të angazhuar nga GIZ, do të punohet draft dokumenti dhe varesisht nga rekomandimet që do të dalin nga draft dokumenti MMPHI-së do ndermerren veprimet e nevojeshme për reduktimin e qeseve plastike”, thuhet në përgjigjet e MMPH’së drejtuar Gazetës Express.
Ideja për ndalimin e përdorimit të këtyre qeseve ishte përmendur edhe gjatë kohës sa Fatmir Matoshi ishte në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Matoshi ka folur edhe për modelet që diskutoheshin për zëvendësimin e qeseve të plastikës. Një prej tyre ishte zëvendësimi me qese të letrës ose tekstilit.
“Kanë ekzistuar disa modele, qeset e plastikës të lejohen të prodhohen vetëm me material të degradueshëm dhe të vendoset një taksë për to, zgjidhja tjetër do të ishte të ndalohen plotësisht dhe të zëvendësohen me qese të letrës ose të tekstilit (duke ju dhënë një afat kohorë prodhuesve për të ndryshuar teknologjitë e tyre ekzistuese). Sfiduese pastaj do të mbetej plastika që perdoret si paketim i produkteve tjera”, ka thënë ai.
Ndryshe, projektligji për ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri u dërgua në parlament para 2 vitesh duke parashikuar për herë të parë gjoba për bizneset dhe qytetarët.