Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria e Kosovës shpërndanë më shumë se 80 milionë euro për veteranët e luftës së UÇK-së.
Duke folur për protestën e djeshme të kësaj kategorie para Kuvendit të Kosovës, Murati tha se veteranëve mund t’ju duket pak ky pension por që janë miliona euro që paguhen për ta.
Sipas tij, shteti po jep shumë për veteranët, por nga perspektiva e tyre mund të jetë pak.
‘’Ndërlidhja me pagën minimale ka qenë me nenin 18. Vullneti politik atëherë ka qenë që të bëhet kjo këputje. Pagesa për veteranët është 80 milionë euro në vit. Nga perspektiva e një veterani mund të duket që shteti po jep pak për ta, por shteti po jep 80 milionë euro. Veteranit i kanë hy në hise disa të tjerë që nuk janë veteranë. Duhet t’u bëhet një pastrim i listave. Duhet t’i trajtojmë drejt ata që kanë luftu e kanë marr pushkën e kanë marr
guximin.’’, tha ai në komision.
Murati pasi ka shpalosur mbështetjen për qytetarët, sidomos familjet me skemë sociale e pensionistët, ka folur edhe për rritjen e çmimeve duke përmendur inflacionin e lartë, që sipas tij, po shkaktohet nga lufta në Ukrainë.
“Ka qenë një vit i vështirë pandemik e cila ka ndikuar negativisht në sektorin privat d.m.th. tek punëtorët e sektorit privat, kriza inflacionare kemi përkeqësim të kësaj situate e cila po ndikon lufta në Ukrainë kemi rritje të çmimeve të grurit dhe produktet esenciale, kriza inflacionare ka ndikuar te disa qytetarë, si qeveri kemi marrë masa duke filluar nga pakoja e mbështetjes së ringjalljes ekonomike. Masa 3.2 që në kuadër të kësaj mase ka qenë mbështetëse Qeveria e Kosovës, ku kanë përfituar 26 mijë familje apo 100 mijë familjarë dhe pensionistët kemi pas rritje mbi 30% të skemave pensionale”, ka thënë Murati.
Murati ka bërë të ditur se tashmë kanë thirrur disa organizata joqeveritare dhe disa kompani për t’i punësuar personat me aftësi të kufizuara.
“Masa për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, kemi thirrur disa organizata joqeveritare të cilat merren me këtë çështje për trajnim në punë 6 muaj ku do të paguhen 160 euro ndërsa kompania që ka pranuar apo organizata i merr 100 euro, ndërsa pas 6 muajsh nëse kompania vazhdon me punësimin e personave me aftësi të kufizuara do të mbështeten me 260 euro subvencionim”, tha Murati.