Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në postimin e fundit para pak çasteve në llogarinë e tij në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se janë të gatshëm të rrisin kapacitetin e stadiumit Fadil Vokrri.
Momentalisht stadiumi në kryeqytet ka një kapacitet prej 13,500 ulëseve, dhe është në shërbim të gjitha skuadrave kosovare, në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave, gjithashtu është stadiumi i vetëm i cili plotëson të gjitha kriteret për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare në territorin e Kosovës.
Stadiumi nacional duket shumë i vështirë për ta filluar, ndërsa një rindërtim i Fadil Vokrrit, me një kapacitet akoma më të madh, mund të ndodh sipas të parit të FFK-së, shkruan Gazeta OLLE.
“Të gatshëm për projektin e rritjes së kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” për 8000 ulëse. Presim përgjigjen nga institucionet lokale e qendrore për ta nisur realizimin e këtij projekti të rëndësishëm e të domosdoshëm” shtoi Agim Ademi.
Para disa ditëve në një shkrim publik, Ademi bëri thirrje në MKR-së për të përfunduar projektet e filluara për ndërtimet e stadiumeve në Kosovë.