1. Si i interpretoni deklaratat e kreut shtetëror të Serbisë që gjatë procesit të Brukselit të dy palët duhet të fitojnë diçka, të jenë të kënaqura?
– Negociatat në Bruksel janë asimetrike. Serbia nuk e ka njohur Kosovën, Bashkimi Evropian (BE) i cili po ndërmjetëson ka mision me kompetenca ekzekutive në Kosovë, këto negociata po bëhen vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës. Në këto negociata të padrejta Serbia së pari e nxori decentralizimin etnik në Kosovë, ku u krijuan komunat me shumicë serbe, kurse më vonë bashkësinë e komunave serbe si nivel i tretë i pushtetit në Kosovë. “Bashkësia e Komunave Serbe” do të ishte një lloj republike serbe në Kosovë, mirëpo doli që në 23 nene e shkel Kushtetutën e Kosovës. Meqenëse ky projekt është në fakt i vdekur, Serbia tani thotë se duhet të fitojë diçka nga këto negociata. Kjo e dëshmon qëllimin e vërtetë të politikës së Serbisë, të fitojë territore nëpërmjet popullatës serbe kudo që kjo është e mundur. Republika jonë nuk është për tregti. Ne luftojmë për sovranitetin e plotë të Kosovës e jo që atë sovranitet ta ndajmë me Serbinë.
2. Po flitet mjaft për ndarjen e Kosovës, përkatësisht ndërrimit të territoreve, veriu i Kosovës për jugun e Serbisë. Thuhet se për këtë po negociojnë fshehurazi pala kosovare dhe ajo serbe.
– Ka pasur ide të ndryshme për ndarje dhe ndërrim territoresh, mirëpo këto janë teza të dëmshme me pasoja të papërballueshme. Këto ide vijnë nga politikanë autoritarë në Serbi të cilët mendojnë që territori është pronë private e sundimtarëve e jo toka e qytetarëve të shtetit. Politikanët autoritarë nuk e pranojnë Republikën, sepse së pari s’e kuptojnë atë. Ata janë tregtarë mallrash. Për ta gjithçka është mall vlera e të cilit është e llogaritshme. Na kujtohet se si Millosheviqi e Tugjmani kanë tregtuar. Dhe në fund më shumë se ndarjen dhe ndërrimin e territoreve fitojmë ndarjen dhe përzënien e njerëzve e të popullatës. Të flasësh për ndarje dhe ndërrim territoresh do të thotë të përgatitesh për luftë të re. Të drejtat qytetare të barabarta dhe reciprociteti në të drejtat kombëtare, së bashku me zhvillimin ekonomik të fokusuar në punësim, sidomos të të rinjëve dhe grave, është rruga që do të na nxjerrë nga kriza dhe do ta mundësojë përparimin.
3. Si e shihni rolin e zyrtarëve evropianë në këtë proces? Krijohet përshtypja që Aleksandar Vuçiq e ka mbështetjen e BE-së për atë që po e bën në lidhje me zgjidhjen e problemit në raport me Kosovën.
– BE-ja politikisht e ka ledhatuar Serbinë duke e shikuar në mes gishtash për të mos e lejuar një anim të saj kah Rusia. Serbia me shkathtësi e ka shfrytëzuar afërsinë e saj me Rusinë, që të nxjerr favore nga perëndimi. Serbia i ka bërë obstruksione të gjitha marrëveshjeve me Kosovën: njohjes reciproke të diplomave universitare, ndërtimit të vendkalimit kufitar, regjistrit kadastral, shuarjes së strukturave paralele, e deri te anëtarësimi i Kosovës në rrjetin energjetik evropian dhe organizatën botërore për arsim shkencë dhe kulturë, UNESCO. Më 6 shkurt të këtij viti Komisioni Evropian e ka publikuar strategjinë e tij për zgjerimin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas kësaj strategjie BE-ja i ka ndarë vendet në katër kategori, duke e vënë Serbinë në kategorinë e parë, ndërkaq Kosovën dhe Bosnjën, si vendet të cilat kanë pësuar më së shumti nga politika e Serbisë, i kanë vënë në kategorinë e fundit. Integrimi i Ballkanit Perëndimor, ka kuptim vetëm nëse realizohet për të gjitha vendet në pako, së bashku dhe në të njëjtën kohë. Përndryshe, prioritizimi i Serbisë do t’i mundësojë Serbisë ta bllokojë Kosovën, por edhe vendet e tjera sikur Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën.
4. Në Serbi nacionalistët e kritikojnë Vuçiqin, sepse mendojnë që do ta pranojë Kosovën, deri sa anti-nacionalistët dyshojnë në një rezultat të tillë, duke e dëshiruar, dhe e kritikojnë Vuçiqin që nuk po bën mjaftueshëm në këtë pranim. Si e komentoni këtë?
– Pushteti në Serbi është i vetëdijshëm që para se Serbia të hyjë në BE, ajo do të detyrohet ta pranojë Kosovën. Këtë para ca ditësh e theksoi edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Zigmar Gabriel, gjatë vizitës në Prishtinë. Mendoj që Vuçiqi don të arrijë një lloj konsensusi nacional sa i përket vendimit, e jo ta marrë atë vendim vetëm. Ashtu do ta hiqte përgjegjësinë nga vetja, deri sa në të njëjtën kohë do të dukej konstruktiv. Mirëpo, ndërkohë dëshiron edhe ndarjen e brendshme të Kosovës, përkatësisht bosnjëzimin e Kosovës. Serbia nuk do zgjidhje. Për Serbinë problemi është zgjidhja. Sepse në atë mënyrë shteti i dobët i Kosovës gjithmonë do të ushqejë apetitet hegjemonike të elitës së pushtetit serb.
5. Si e shihni zgjidhjen e problemit të njohjes së Kosovës nga ana e shteteve evropiane që ende s’e kanë bërë këtë?
– Këto shtete nga arsyet e tyre të ndryshme, janë përmbajtur nga njohja e Kosovës, mirëpo nuk mendoj se janë kundër Kosovës si shtet. Mendoj që ndërtimi i brendshëm i shtetit të Kosovës dhe funksionimi efikas i tij dhe zhvillimi ekonomik, si dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do të kontribuojë që Kosova të njihet edhe nga ato shtete.
6. A është sipas mendimit tuaj i mundur pajtimi i përhershëm në mes të dy popujve dhe ndërprerja e mosdurueshmërisë. Kemi hulumtimet më të të reja të cilat tregojnë se përkundër të gjithave që kanë ndodhur gjatë luftës, shqiptarët e Kosovës megjithatë janë më të disponuar për bashkëjetesë me qytetarët e nacionalitetit serb, disa prej tyre do të krijonin martesë, do të krijonin shoqëri pra edhe të jetonin së bashku. Si e komentoni këtë?
– Problemi nuk ka filluar nga mosdurueshmëria e popujve, por nga politika e padrejtë e shtetit serb, gjatë fazave të ndryshme historike, aspiratave ekspanzioniste të tyre, me okupimin e Kosovës, pushtetin brutal dhe shtypjen e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve. Nuk e kanë shkaktuar konfliktin dallimet nacionale, por konflikti i interesave të ndryshme është formësuar edhe në dallime nacionale. Jeta në liri dhe përmbushja e të drejtave të barabarta, qoftë nacionale apo qytetare, shmang arsyet për mosdurueshmëri apo urrejtje. Edhe pse etno-kulturalisht jemi të ndryshëm, kemi shumë gjëra të përbashkëta, si njerëz, qenie shoqërore dhe politike, të cilëve u duhet paqja, zhvillimi, solidariteti, drejtësia, mbrojtja sociale etj.
7. Në opinionin e këtushëm është e njohur rezistenca e fortë e opinionit të Kosovës ndaj gjykatës për krimet e UÇK-së në Kosovë, e cila do të duhej të fillonte mga puna. Çka mendoni ju për krijimin e kësaj gjykate? A mendoni se kjo gjykatë do t’i kontribuojë drejtësisë?
– Gjykata Speciale, e cila është krijuar për Kosovën, është e padrejtë dhe diskriminuese. Kjo është me siguri gjykata e vetme njëetnike në botë, e cila është e tillë si nominalisht ashtu edhe normativisht. Në të do të gjykohen vetëm shqiptarët, pjesëtarë të UÇK-së. Neve në fakt na duhet forcimi i sistemit gjyqësor të Kosovës, neve na duhen gjykata vendore, në të cilat do të gjykohen kriminelët dhe keqbërësit pavarësisht nga përkatësia nacionale. Kosova e ka pasur misionin e UNMIK-ut, pastaj EULEX-in, shqiptarët luftëtarë të UÇK-së janë gjykuar në Tribunalin e Hagës. Pse pra Gjykata Speciale, edhe një gjykatë speciale? Na duhen gjykata normale vendore, të cilat i ndjekin pa kompromis politikanët për krime dhe jo edhe më shumë gjykata speciale ndërkombëtare, të cilat i trajtojnë krimet e luftës vetëm sa për t’i diciplinuar politikanët e korruptuar.
8. Cila do të ishte porosia juaj qytetarëve të Serbisë, të cilët nën propagandën e rëndë mediatike, kushtet e jetesës, fshehjen dhe manipulimin me të vërtetën se si ka qenë roli i udhëheqjes shtetërore të atëhershme të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, edhe më tutje mendojnë se Serbia gjatë konfliktit në Kosovë ka qenë e pafajshme dhe si popull ju është bërë padrejtësi e madhe?
– Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj që të mund të ecë përpara. Nuk mund ta ngasësh makinën pa shikuar në retrovizor. Qytetarëve të Serbisë u duhet thënë e vërteta dhe ata duhet të ballafaqohen me të gjitha veprat e këqija të cilat regjimi i Sllobodan Millosheviqit i ka bërë në emër të tyre, si edhe vetë atyre. Qytetarët e Serbisë duhet të mendojnë se kur Millosheviqi u ka shkaktuar atyre kaq dëme, a thua çka krejt iu ka bërë shqiptarëve! Mirëpo kjo nuk është situatë jashtë ideologjike. Në Serbi më shumë se 85% e Kuvendit e përbëjnë partitë djathtiste. Do të doja të shihja në Serbi një rrymë tjetër politike, rrymën e socialdemokracisë, me orientim majtist, e cila është momentalisht e shtypur, trashëgimtarët e Svetozar Markoviqit dhe Dimitrije Tucoviqit, përfaqësuesit e klasës punëtore, studentëve, grave, të cilët do të dinë ta udhëheqin Serbinë në shekullin 21 dhe t’i sjellin asaj paqe të vërtetë dhe të drejtë me fqinjët e saj dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj.
9. Vrasja e Oliver Ivanoviqit ende nuk është zgjidhur, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga vrasja. A po mendoni që po zvarritet hetimi e nëse po çka është shkaku i kësaj zvarritjeje?
– Vrasja e Ivanoviqit është qërim hesapesh politike, i cili ka ndodhur për dy arsye të mundshme të cilat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. E para, Serbia do të tregojë dhe dëshmojë se ajo ka pushtet mbi veriun dhe që askush mos të mendojë ndonjëherë se veriu i Kosovës mund t’i takojë Kosovës, se aty pushtetin e ka Serbia me strukturat e saj të sigurisë, duke e marrë parasysh profesionalizmin me të cilin vrasja është kryer. Në veri të Mitrovicës kudo ka kamera, mirëpo asgjë nuk doli nga kjo. Ivanoviqin nuk e ka vrarë ndonjë individ i tërbuar, por një organizatë gjakftohtë. Kurse shpjegimi i dytë është që Ivanoviqi është vrarë për shkak se ai megjithatë ka marrë pjesë në krime lufte, disa shqiptarë e kanë identifikuar atë në gjykim si pjesëtar i forcave paramilitare gjatë luftës dhe më vonë si udhëheqës të rojeve të urës, kështu që ai ka mundur në të ardhmen të bëhet dëshmitar i këtyre krimeve. Është e mundur që e kanë eliminuar si dëshmitar potencial, për më tepër që ka qenë në marrëdhënie të këqija me Vuçiqin e çdo herë më mirë me ndërkombëtarët. Paradoksalisht, mirëpo vetëm në shikim të parë, krimineli është edhe dëshmitar.
10. Në një pjesë të opinionit në Kosovë, jeni i cilësuar si nacionalist, si ai që nuk është i gatshëm për kompromis dhe tejkalim të situatës aktuale. A është kjo e vërtetë dhe nga kjo përshtypje?
– Unë jam luftëtar për të drejta qytetare, kombëtare e sociale të popullit tim, shtetit tonë, por edhe të të gjithë njerëzve, dhe popujve tjerë. Për shkak se jetoj dhe punoj në një kontekst të caktuar, kjo bën të dukem si nacionalist romantik, megjithëse gjithmonë kam luftuar kundër shovinizmit. Vetëvendosja të cilën e kërkojmë nuk është vetëvendosje për liri mbi të tjerët, por vetëvendosje për barazi me të tjerët.