Prizren- Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka raportuar në Polici se është kanosur nëpërmjet telefonit nga ish-deputeti, Zafir Berisha.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Gashi bëri të ditur se rasti është raportuar në polici të shtunën, ndërsa thuhet se Totaj ka njoftuar se është kanosur për tri ditë me radhës.
“Më datën 25.06.2022, viktima ka raportuar rastin në Polici se ka qenë i kanosur përmes telefonit nga një i dyshuar Z.B. për tri ditë. Pas pranimit të informatës, viktima është intervistuar lidhur me këtë rast, është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka dhënë urdhër që të intervistohet i dyshuari. Hetuesit nga Sektori i Hetimeve Rajonale e kanë shoqëruar të dyshuarin, i cili është intervistuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, tha Gashi.
I njëjti shtoi se në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si ‘kanosje’ dhe është duke u hetuar nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Prizren. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.