Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka ndërprerë seancën e sotme, në mungesë të kuorumit, pasi opozita e ka lëshuar sallën pas mospajtimeve të shumta me pozitën sidomos rreth borxheve dhe obligimeve të trashëguara, derisa po shqyrtohej Korniza Afatmesme Buxhetore.
Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit, pas një takimi me shefat e grupeve, kërkoi që diskutimet të mbylleshin me aq dhe seanca të vazhdonte punën tutje, por opozita (LDK, AAK, Vatra), nëpërmjet Nazim Gagicës bëri me dije se nuk mund të vazhdojë të rrijë në seancë për shkak të, siç tha ai, mungesës së mirëkuptimit.
Kryesuesi Sadiku konstatoi se në situatën e krijuar, seanca duhet të mbyllet për sot dhe të vazhdojë nesër në ora 9:00.
‘Për shkak të situatës së krijuar gjatë diskutimeve paraprake dhe shqetësimeve të cilat u ngritën këtu e që nuk reflektojnë drejtpërdrejt interesin qytetar për çka jemi këtu, diskutimeve të cilat dolën përtej pikës së rendit të ditës, duke kaluar edhe në gjera personale, që realisht janë të papranueshme, Kuvendi erdhi në një moment jo të këndshëm si ky”, ka thënë Sadiku.
Për më tepër, ai tha se kjo është një vërejtje për të gjitha palët e përfshira në një diskutim të kësaj natyre, ku u keqpërdorë edhe toleranca për të lejuar më shumë kohë për diskutime se sa parasheh rregullorja.
Sadiku u shpreh i zemëruar që Kuvendi erdhi në një situatë të tillë, pikërisht në një moment shumë të rëndësishëm, siç është miratimi i KAB-it.
Përndryshe, paraprakisht, drejtori i Buxhetit, Riad Rashiti ka prezantuar KAB-in për vitin 2023 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2024-2025.
Ai ka thënë se buxheti komunal do të shënojë rritje nga viti në vit. Vetëm në vitin 2023 buxheti do të shënojë rritje për 3.5 milionë në krahasim me vitin 2022, kurse investimet kapitale do të jenë më të mëdha për 1.7 milion euro.
Për vitin 2024 buxheti i planifikuar do të jetë 34 milionë e 730 mijë euro, kurse për vitin 2025 – mbi 36 milionë euro, ka thënë Rashiti, i cili ka dhënë edhe hollësi tjera rreth tendencave buxhetore për tri vitet e ardhshme.
Rashiti tha se nga qeverisja e kaluar kanë trashëguar shumë borxhe, sidomos te shpronësimet, të cilat janë barrë për buxhetin e ardhshëm dhe rrezikojnë ta fusin Komunën në krizë financiare.
Nazim Gagica (AAK) vlerësoi se ky planifikim buxhetor nuk paraqet zhvillim dhe as nuk përmirëson cilësinë e jetës së qytetarëve.
Edhe Muhadin Haziri (LDK) i vuri në dukje disa prej mangësive në buxhetin e planifikuar, duke nënvizuar se te ndarja e projekteve mungojnë lokacionet ku do të realizohen ato.
Ndërkaq, KAB-it i dha mbështetje Krenare Latifi (LVV), sikurse edhe Bujar Nevzati (PDK), i cili tha se nuk duhet të akuzohet një qeverisje që ka ardhur në pushtet para 6 muajve dhe që ka trashëguar një Komunë me obligime.
Përndryshe, në çështjet e ngritura nga këshilltarët komunalë, përgjigje kanë dhënë nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku si dhe drejtorët Ali Arifi (Urbanizëm) e Bajram Isufi (Bujqësi).
Sa i përket pyetjes për rrugët magjistrale, Morina Bunjaku tha se në bazë të informatave që kemi nga Ministria, punimet në segmentin e dytë të rrugës hyrëse-dalëse Gjilan-Bujanoc do të përfundojnë më 10 korrik dhe kështu do të eliminohen problemet e tashme në qarkullim. Ndërkaq, në rrugën Gjilan-Ferizaj, punimet tashmë janë kryer dhe po shpresojmë se së shpejti do të fillojnë edhe në drejtimin Gjilan-Prishtinë.