Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten është pyetur nga gazetarët për deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati, të bëra me vite parë, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai kujtoi rolin e tij në pushtet, duke theksuar çështjet e të kaluarës nuk janë prioritet për të.
“Unë jam kryeministër por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri qeveris me vendin për çështje madhore, dhe çka shkruajnë komentuesit për tema të shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”, ka thënë Kurti.
Nga një përllogaritje që e kishte bërë Hekuran Murati në vitin 2016, aktualisht ministër i Financave, i kishte dalur që Kosovës më lirë do t’i kushtonte të angazhonte mercenarë për ta çliruar Kosovën, sesa çlirimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ai, derisa kishte kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës, kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.
Madje, shkruan ai, “edhe mercenar me pas angazhu na kish dalë më lirë”.
Aktualisht veteranët marrin 170 euro, derisa paga minimale pritet të arrijë në 250 euro.
Kryeministri Albin Kurti e ka thënë në më shumë se një rast se veteranët nuk e meritojnë pagën minimale.
Pas kritikave, ai ka thënë se veteranët mund të meritojnë edhe më shumë, porse një herë duhet të pastrohen listat, sepse nuk janë 60 mijë veteranë ashtu siç aktualisht është numri zyrtar, por janë më së shumti rreth 20 mijë. /Albanianpost.com