Që këto pushime verore do të ishin “të kripura”… dihej. Kjo si pasojë e shtrenjtimit të ushqimeve, pijeve apo karburantit. Rrjedhimisht, këtë vit sipas një pyetësori të kryer nga Barometri i Ballkanit për vitin 2022, rreth 60 për qind e shqiptarëve kanë pohuar se nuk mund të përballojnë shpenzimet për një javë pushime në vit. Kjo ishte përqindja më e lartë në rajon.
Por zgjedhjet për të kaluar pushime disi më të lira nuk mungojnë. Plazhet në veri të vendit, Shëngjin e Velipojë mund të jenë dy opsione. Çmime të përballueshme ofron edhe Durrësi e një pjesë e Vlorës. E njëjta nuk mund të thuhet për Sarandën, Palasën apo Dhërmiun ku një çift duhet të paguajë nga 10 deri në 14 mijë lekë vetëm për t’u akomoduar një natë.
Me gjithë shtrenjtimit, Shqipëria vijon të ofrojë çmime më të ulëta se vendet evropiane e madje Rajonit. Sipas platformës Airbnb, një çift mund të akomodohet në plazhet e vendit për mesatarisht 65 euro, shifër kjo më e ulët se ajo që një turist do duhej të paguante në Turqi, Malin e Zi, Greqi. Itali apo Maltë.
Përtej krizës së çmimeve ky sezon veror pritet të tejkalojë edhe atë të vitit 2019. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vetëm në tre muajt e parë vitit turistët e huaj shpenzuan në vend më shumë se 400 milionë euro, shifër kjo gati 2-fish më e lartë se mesatarja e viteve 2008-2021./Reporteri.net/