Shkruan: Sherafedin KADRIU
TREGIMET E KARANTINËS
( Muhamet Halili: NJË EMËR NGA LETËRNJOFTIMI, libër me tregime, editoi Shtëpia botuese BEQIR MUSLIU, 2022 )
Rruga krijuese e shkrimtarëve nuk është e njëjtë, sidomos për procesin dhe gjininë e krijimtarisë letrare. Tashmë është konstatuar se problemet me të cilat kacafyten ata që merren me prozën janë të një natyre tjetër, krahasuar me poezinë. Më të vështira gjithsesi. Muhamet Halili, që në fillesë të krijimtarisë së tij është marrë me tregimin, pa u frikësuar fare për rrugën nëpër të cilën do të ecën.
Po u këqyrë nga kjo pamje krijimtaria artistike e këtij shkrimtari, kritika do të dijë t’i rizbulojë ndryshe tregimet e tija, të cilat paraqesin fabula të krijuara me shkathtësi e me shpërndërrim të lehtë, mbase – paksa energjik. Muhameti e di se tregimet kallëzohen, prandaj ka bërë shumë që poetika e prozës së tij ta ngrehë kandarin e vlerave krijuese, të cilat fatmirësisht po mirëpriten nga lexuesi. Kështu mund të thuhet për të tri veprat me tregime të këtij autori: Fundi i Heshtjes (2014), Djersa e gurit (2015) dhe Një emër nga letërnjoftimi (2022), të cilat kanë vlera të patjetërsueshme.
Edhe pse në librin tretë ndodhen 5 tregime të cilat janë përfshirë në vështrimin tonë (Orgazma liderësh, Orgjitë në shtëpinë bojëkafe, Monologu i hajnit, Avokati i rasteve të humbura dhe Vizitori), fjalën e kemi për tregime të publikuara në faqen e FB, të cilat i emërtuam jo krejt arbitrarisht Tregime të karantinës, sepse erdhën mu në atë periudhë pronësie të stresit e të trishtimit, duke komunikuar me lexuesin, të cilit i falën guxim e dashuri …
Këtu nis rrëfimi për tregimet e Muhametit, sepse veç leximit, është edhe një debat i këndshëm që po i përcjellë këto kallëzime estetike. Një karakteristikë interesante, jo e parë ndonjëherë. Dhe, nuk është me rëndësi nëse debati zhvillohet nga profesionistë të fushës, – mjafton që debati po bëhet nga lexuesi, mu atëherë kur debatet për letërsinë janë të rralla.
Arsyeshëm, shtrohet pyetja: Çfarë i karakterizon këto krijime që të jenë të dashura për lexuesin, që lexohen kur s’lexohet?!
Po. Është mënyra e rrëfimit të ngjarjes, thurja e saj, ai konflikt i lehtë, gjuha dhe strukturimi i saj, përmbajtja e ngjarjes etj, që e kanë bërë të dëshirueshëm një tregim të tillë për lexuesin e pandemisë.
Jam krejtësisht i bindur se përvoja e mirë e komunikimit ndërmjet shkrimtarit dhe lexuesit do të vazhdojë me apo pa karantinë, – tregimet e Muhametit do t’i kemi në tryezën e mëngjesit… për t’iu rikthyer atyre sërish në sofrën e mbrëmjes.
Thellësi komunikimi apo trajtim thjeshtësie
Ngjarja e tregimeve të këtij autori, në shikim të parë, është e thjeshtë. Po vështruar mirë e mirë, ajo merr trajtë komplekse nëpërmjet historisë së rrëfimit poetik. Nga e kaluara merr vetëm aq sa i duhet për ta pleksur me të sotmen moderne që paraqet një formësim psikologjik, social, filozofik e etik, ndonjëherë të kapur nga tradita e keqe e shpërfaqur si me tam-tame në strukturën tematike dhe ideore, siç ndodh me tregimin Maria. Një tregim që nis me problemin e shkollimit të femrës, e që sot është i kapërcyer. Nuk paraqitet si dukuri, së paku. Si rast po, po për këtë arsye rastet nuk trajtohen në letërsi sepse paraqesin varfëri poetike.
Në atë prolog zë fill tema që është krejt tjetër, – dashuria e dy të rinjve, bashkë me momentet që shumëfishoheshin në livadhin e fryrë plot me lule, si gjoksi i saj që përngjante me ballonin e fryrë nga heliumi. Ndoshta titulli i tregimit të prin për tjetërkah… se titujt janë si dukja tërheqëse në fillesë…
Tërësisht, tregimet kanë një rrjedh spontane, paksa lirike. Nuk durojnë asnjë ndërhyrje, as edhe nga autori. Ndoshta për këtë, shkrimtari rri larg rrjedhës dhe ngjarjes që rrjedh me atë konfliktin krejtësisht të lehtë. Një konflikt që vallëzon me një muzikë lyre të përzgjedhur, ku veprojnë personazhe nga më të ndryshmit, të cilët ne i njohim intimisht, edhe pse nuk dimë shumë gjëra për ta. Secilin prej tyre e njohim ndryshe nga tjetri, sepse secili prej tyre jeton e vepron sipas formësimit të tij, mu aty ku takohemi, aty ku miqësohemi, aty ku urrehemi (Tregimi Supa e ftohtë, vithet e nxehta dhe vaji i ullirit). Orgjitë në shtëpinë bojëkafe, në anën tjetër, një prej tregimeve jo për t’u trishtuar se u mësuam nga ç’shohim e dëgjojmë se si po e zëmë e po e tejkalojmë Evropën. Jo në dije, jo…
Qe, ajo ndarja prej modelesh interesante të asaj klientele që përmbyllet me hijet prej mishi e gjaku, ndonëse gjunjëkuqët përbëjnë palën që nuk peshon. Dhe, në këtë mes, nuk e dimë nëse studenti vërtet përfaqëson një idealist të papërmirësueshëm, apo erërat e ndryshimit fryjnë nën hukamën e zjarrit shpirtëror të atij që vazhdon ta ketë thirrjen “ kryengritës!!!”.
Mundet, edhe njëra edhe tjetra!!!
Tregimi Horë për metaforë ka në plan dy çështje të ngritura dhe të lidhura mes vete. Nevojën për financa në këtë zallahi antivlerash të dala në sipërfaqe, por që tentojnë të bëhen vlera nëpërmjet financash të majme.
Dhe është një e vërtetë që besohet, e sprovuar gjithsesi: Financat janë te ata që nuk kanë vlera kulturore, jo te të gjithë, të merremi vesh se nuk po i presim gjërat si me thikë. Disave prej tyre sesi iu teket që edhe në fushën e krijimtarisë artistike duhet të bëjnë emër, se në këtë fushë bëhet emri i mirë! Dikur mendohej ndryshe: emri i mirë mund të bëhej duke financuar botimin e krijuesve të ndryshëm letrarë. Që nga paslufta u tejkalua ajo mendësi e mirë, fatkeqësisht…
Dhe gjejnë hartues e shkrues. I tillë është personazhi ynë, rrëfimtari i sinqertë, që për mjete financiare shkruan poezi për Malushin, që ta bëjë poet, de! Se edhe Malushi e di që vet nuk bëhet dot poet. I duhet dikush, se për para, puna më e vogël: Malushi ka para si mut!, shprehet rrëfimtari. Ky është ai krahasimi kronologjik që në pamje të parë nuk del i qëlluar, ama nga këqyrja e dytë shpërfaq arsyeshëm bashkë me përmbajtjen nervozen jo të tepruar!
Çështje tjetër me rëndësi në këtë tregim është problemi seksual që vjen si pasojë e financave mangut. Dhe rrëfimtari nuk përton që në skenën e kureshtjes ta vë gruan e tij bashkë me situatën psikologjike të pendshkruesve që ta bëjnë librin për para.
Po morali?,- do të pyesni ju.
Morali ka kohë që ka vdekur! – do të përsërisin të tjerët. Ka vdekur bashkë me gruan e personazhit të tregimit që është gruaja e cilitdo krijues që është futur në borxhe dhe s’e bën një ditë në detin e flladitshëm gjatë verës valë të nxehtë. Janë edhe një varg pagesash që duhet të bëhen, e mjete financiare nuk ka.
Shikoni po kompleks di të jetë tregimi që ne e konsiderojmë për të lehtë, për të thjeshtë pra. Për këtë arsye shkrimi duhet lexuar disa here nga kritiku para se të ketë filluar interpretimin, para gjykimit medoemos.
Jo vetëm në këtë tregim ironia është ulur këmbëkryq, pa e kaluar masën e figurës medoemos. Më mirë i rri shitësit se blerësit të vlerave kulturore artistike e poetike, me patjetër. Sepse shitësit bëjnë dy mëkate: shesin vlera dhe bëhen “horë për metaforë”, ndërsa blerësit numerikisht bëjnë vetëm një të keqe: blejnë vlera që nuk i kanë!
Ironia nuk zhvillohet më tutje. Nuk ngjitet në shkallën e sarkazmit. Ajo bashkë me të bukurën në art dhe të shëmtuarën në realitet, bën jetë brenda tekstit letrar, disi njëfarë njëjtësimi i të vërtetës së fakteve me të vërtetën imagjinatave, se nuk është as e kritikut, e as e lexuesit të kërkojë ngjarje përtej tekstit letrar.
Po ç’faj ka kritiku nëse ndonjëri nga lexuesit e tregimeve të Muhametit ka shfaqur teken tendencioze që në rininë e tij, që me çfarëdo kushti të jetë i pari. Teke rasti e çasti. Se pati kohë të sprovohej, sa të duash. Kush nuk pati rast e kohë nga shqiptarët se? Po pas luftës fushëbetejën e jetës e gjeti në kronologjinë etimologjike të shqiptarëve përtej shtetit të ri.
Një nga tregimet e bukura të Muhametit është tregimi Premiera. Një stil lirik në prozë. Një stil i tillë i strukturuar që e bën të lehtë tregimin pa e lodhur lexuesin. Secili pastaj gjen atë që do në tregim. Dikush dashurinë, e dikush aktin, ndonjëri edhe hallin për rrogë, e tjetri lavdinë për seksin e një nate të kaluar…Në këtë tregim sensi erotik është aty, por pse nuk shkon më tutje do të pyeste lexuesi…Sepse kjo është mënyra e rrëfimit dhe e trajtimit të manovrave të dashurisë. Rrëfimtari nuk do të na tregojë më shumë për aktin e dashurisë. Kështu ndodh edhe te tregimi Kur tundet mjellma. Nëse Kafka e Xhojsi nuk e zbulojnë seksualitetin si terren të lojës së përcaktuar…, por si realitet edhe banal, edhe të rëndësishëm, të secilit prej nesh, atëherë as Muhameti nuk ka pse frikësohet që ta arrijë këtë shkallë shpërfaqjeje, se ç’është e vërteta, ka sens poetik.
Tregimi poetik Mirëmëngjesi sjell përshkrim detajesh erotike. Lehtësisht kureshtja merr udhën poetike: Rrathët valore të ujit krijoheshin vetvetiu edhe kur ajo qëndronte e qetë. I pëlqente kur e prekte vetveten nën ujë. Bashkë me trupin e saj, digjej edhe uji! Metaforë përrallore…do të thoshim. Një djegie e butë që vjen e përmblidhet në disa pyetje pa përgjigje:
Po çfarë po ndodh? Ç’ishin ato re? Pse po i hiqej zabullima asaj butësie femërore?
Nuk ka përgjigje, jo. Tashmë mendja ka ikur thellësive imagjinative…
Zëri i pasqyrës sjell një rrëfim pasionesh të zjarrta nën diktatin e së dëshiruarës. Pasioni përballë arsyeshmërisë. Karakteristikë shumë të rëndësishme paraqet rrëfimi i formësuar që përplotësohet nga fjalori i përzgjedhur, medoemos i një gjuhe letrare, dhe ngjizjes së saj me vetë ngjarjen. I beson atij stili sepse i beson mënyrës së rrëfimit të autorit.
Tregimi tjetër Librashitësja ka mbaruar pas tre yllëzave që sjellin një pjesë shkrimi si epilog, pa pasur nevojë që rrëfimtari të ofrojë diçka të tepërt në rrëfimin e tij. Bashkë me të, ka dhe një karakteristikë tjetër që del të jetë tregimi pa atë konfliktin e bujshëm klasik, mu në përditshmërinë e shpërfaqjes së problemeve sociologjike dhe përciptazi psikologjike ndonjëherë.
Ndërsa, Monologu i hajnit njëmend lexohen lehtë për mënyrën e thurjes që ka, megjithatë rrjedha e problemeve kompleksohet. Nuk është me rëndësi se kujt do t’i qepemi për ta thënë të vërtetën, hajnit apo autorit, se ka nga lexuesit që duan të luajnë ndonjëherë kur thonë pa zë: autori paraqet diçka nga përvoja e tij se nuk do të dinte t’i shpërfaqte këto probleme kaq të gjalla!!!
Avokati i rasteve të humbura është nga ato rrëfimet që konsiderohen të mençura e që lehtas, nëpërmjet dramës individuale zbërthejnë dramën kolektive. Ndryshe nuk mund të lehtësohej vërtitja e mësimdhënësve, mbetja pa paga, ani pse ishin punësuar me konkurs të rregullt.
Duket se tregimi Vizitori, është krejt ndryshe nga ç’mund të prisnim prej këtij autori. Ky tregim del nga lehtësia e paraqitjes lirike të ngjarjes. Përpjekjet për të aktualizuar e angazhuar vetëdijesimin për sëmundjen, kur të gjithë janë të pasigurt për jetën, atëherë sa vlen disiplina për ditët e ardhme? Vetëm ngjyrat luajnë para mendjes së tij, jo para syve. Ata janë mbyllur për të mos u hapur aq lehtë.
Tregimet e kësaj periudhe, që i emërtuam me shkas Tregime të karantinës, mund të gjykohen si të flladitshëm në atë ngrohje të lartë psikologjike e të trishtë për njerëzimin…
Tregime që mund të mundësojnë një vëllim letrar shumë të suksesshëm, sidomos për sjelljen e shtjellimeve aktuale të veprimeve e mendimeve, të cilat nxisin meditime e gjykime për to. Janë shprehje estetike që burojnë nga përvoja intelektuale që disponon autori.
Poetizimi i gjuhës
Për fund një përzgjedhje përshkrimesh pjesësh poetike të disa prej tregimeve:
Fytyra e saj, që përngjante në një lule aguliçe, e bënte të sapodalë nga një roman i mbushur me fantazi, e shtati i saj filiz, i derdhej si një bukuri delikate nën çadër e mes librave. Më pak shiste e më shumë lexonte. Edhe tani kishte një libër në dorë me të cilën ishte pushtuar.
Nuk e di cila histori e kishte mbërthyer aq shumë, por shihej ashiqare se po kënaqej. Kufjet në vesh dhe lëvizja e nga njëhershme e trupit në formë ritmi ishin dëshmi se leximin po ia shoqëronte ndonjë melodi e lehtë..!
…
Dhe kur kjo thuhet nga të dytë, i lirohet rruga puthjes së zjarrtë, që edhe diellin në atë moment e bënë të ketë nevojë për çadër hijeje…! (Librashitësja)
U ngrit ngadalë nga i lumi shtrat. Trupi u la i lirë edhe nga ajo pak peshë e të brendshmeve, me të cilat e kishte zënë gjumi, dhe doli lirshëm në ballkon për ta përqafuar një ditë të bukur jete.
Me shikim kah ai qiell njëngjyrësh dhe duke e shkrepur një buzëqeshje të sinqertë, nga goja i doli një “Mirëmëngjesi!”.
…
Këmbëzbathur të shkelte mbi bar i pëlqente shumë, por edhe barit që po zgjohej nxitueshëm përpjetë, i pëlqenin shputat e saja.
(Mirëmëngjesi)
Ani se kishte të veshur një këmishë nate, ëndrrat e kishin shkujdesur, sa që njëra cicë e eksituar i kishte dal tërësisht jashtë. Qeshi me veten kur instinktivisht, në vend se ta fuste atë nën këmishë, dora i shkoi te tjetra, për ta nxjerrë jashtë, ani se këtë e bëri me pak vështirësi pasi një fije peri e kishte bllokuar ca vrimën e kopsës, e cila i bëri naze gjatë zbërthimit.
(Zëri i pasqyrës)