Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjilan e përkrah protestën e sotme të bizneseve që operojnë në rrugën hyrëse dhe dalëse Gjilan-Bujanoc, për shkak të neglizhencës së institucioneve aktuale në procesin e punimeve.
Kjo rrugë është projekt i përkrahur dhe i filluar në qeverinë Haradinaj, projekt i cili është ndërprerë nga qeveria Kurti e më pas kanë premtuar se punimet do të përfundojnë në korrik të këtij viti.
Punimet janë shumë larg përfundimit.
Pronarët e bizneseve janë ata që po e pësojnë më së rëndi. Në sezonën kur ata duhet të ngjallen sado pak nga fluksi i madh i mërgimtarëve, ata duhet ta paguajnë koston e lartë si pasojë e qeverisjes së dobët dhe të papërgjegjshme.
Përveç bizneseve, katrahura e krijuar tanimë në këtë rrugë po sjell telashe të mëdha që në ditët e para të ardhjes së bashkëatdhetarëve tanë.
Bashkëatdhetarët duhet t’i kalojnë pushimet pa u përballë me të tilla telashe në komunikacion. Humbja e kohës në kolona, përveç që është irrituese për ta, është edhe imazh i keq për Gjilanin.
Qeveria Kurti fillimisht, e ajo në nivel lokal në tani, i kanë ndalur të gjitha projektet e filluara në Gjilan. E kanë ndal edhe autostradën.
I bëjmë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që ta përfundojnë rrugën në fjalë sa më parë në mënyrë që tu krijohen kushtet e mira për biznese dhe për qarkullimin e trafikut.
Duhet të jeni të përgjegjshëm në raport me qytetarët.