Çmimi i peletit në Kosovë është shtrenjtuar. Aktualisht një ton pelet arrin deri në 400 euro, derisa edhe për transportin e tij duhet paguar 20 euro, dhe kështu çmimi në total e kalon 420 euro për një ton pelet, shkruan Gazeta Metro.
Peleti është njëra ndër lëndët djegëse që përdoret për ngrohje nga qytetarët në Kosovë.
Kjo lëndë djegëse, fitohet përmes përpunimeve mekanike të mbetjeve të drurit të përpunuar (tallashit) nën presion të lartë.
Peleti përdoret për ngrohje nga qytetarët, por edhe nga shkollat dhe institucionet tjera.
Në vitin e kaluar një ton pelet është blerë diku deri në 250 euro, ndërkaq këtë vit çmimi i tij është shumë i shtrenjtë.
Për momentin në një kompani në Kosovë, toni i peletit është 400 euro, derisa për transportin e tij kosto është 20 euro shtesë, pra në total çmimi e kalon ndoshta shifrën prej 420 euro.
Ndërkaq sipas shifrave të publikuara nëpër ueb-faqe të ndryshme në rajon, çmimi i peletit në vendet e rajonin është shumë më i lirë, krahasuar me Kosovën.
Në Shkup, çmimi i një ton peletit është 205 euro, në Banjaluka të Bosnje dhe Hercegovinës, një ton pelet kushton 294 euro, në Ljubljan të Sllovenisë, një ton pelet kushton 362 euro, në Zagreb 362 euro dhe në Beograd një ton pelet kushton 411 euro.
Pra aktualisht në Kosovë çmimi i peletit është shumë më i shtrenjtë krahasuar me rajonin dhe vendet e Bashkimit Europian (BE).
Këtu mund të ngritët pyetja: Si është e mundur kjo, që Kosova ta ketë më shtrenjtë peletin se vendet e BE’së?
Të dhënat nga Dogana tregojnë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti Kosova ka importuar 9, 377 ton pelet që ka kushtuar 1 milion e 719 mijë euro.
Vendet prej të cilave ka importuar pelet Kosova gjatë vitit 2022 janë Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Për qytetarët as peleti duket se nuk është zgjidhje këtë vit për ngrohje pasi siç po shihet çmimi i tij është shumë i lartë. Përveç peletit, është shtrenjtuar edhe çmimi i metrës së druve. Aktualisht në Kosovë një metër dru kushton 80 euro, derisa pak javë më parë ishte 50 euro.
Përveç peletit dhe druve që përdoren për ngrohje në Kosovë, është edhe energjia elektrike që gjithashtu është shtrenjtuar.
Ky dimër si duket do të jetë mjaft i rëndë për kosovarët, pasi që cilëndo alternativë që e përdorin për ngrohje do të ketë kosto të lartë. /gazetametro.net