Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencë për media ka folur sot edhe për zhvillimet në Gjykatën Speciale ku po mbahen prej kohësh në paraburgim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se janë duke e diskutuar brenda institucioneve çështjen e ngritjes së një mekanizmi mbikëqyrës për punën e Gjykatës Speciale, meqë sipas ministres është e paprecedent që një institucion i tillë të mos ketë një mekanizëm që ia mbikëqyr punën.
Ajo tutje ka thënë se një deklaratë e Konjufcës është keqkuptuar për punën e mekanizmit, meqë ai s’ka thënë se mbikëqyrjen do ta bëjë qeveria po kuvendi, por një institucion që ka kredibilitet.
“Sa i përket mekanizmit mbikëqyrës, pas vizitës që ka pasur kryetari i Kuvendit dhe pas vizitës që kam pasur edhe unë në Hagë, kjo çështje është në kuadër të diskutimeve institucionale dhe ende nuk mund të them se cila është zgjidhja për këtë. Por ju garantoj që jemi në diskutime me institucionet në Republikën e Kosovës për ta adresuar këtë çështje. Sepse është e paprecedent që një institucion siç është gjykata speciale nuk ka asnjë mekanizëm tjetër që e mbikëqyr punën. Është e papranueshme që një deklaratë e Kryetarit të Kuvendit është keqkuptuar, sepse kryetari asnjëherë s’ka thënë që këtë kontroll duhet ta bëjë qeveria apo Kuvendi i Kosovës, mirëpo një mekanizëm që qytetarët kanë besim. Sapo të dakordohemi për këtë do t’iu njoftojmë”, ka thënë ministrja Haxhiu. /GazetaExpress/