Në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan është promovuar libri me poezi i titulluar “Dy lulet e mia” i autores Shqipe Isufi.
Është ky libri i parë i kësaj autoreje që jeton dhe vepron në Zvicër, por që siç tha edhe recensenti i këtij libri, dr. Faik Shkodra, kjo autore trajton tema të ndryshme e ngjarja të dhembshme. Kjo autore mban qëndrim të drejtë dhe nuk lejon të jetë subjektive. Në paraqitjen e tij dr. Faik Shkodra, ka shtuar se poetja thuri poezi ku gjithçka mbetet në realizëm, në vlera artistike të popullit të vet.
Kjo vepër e poetes Shqipe Isufi është e ndarë në katër cikle, në të cilat janë prezantuar 39 poezi e poetja hartoi vargje me frymë të prekshme. Ajo jeton me personazhet dhe trajton tema të një kohe të rëndësishme për shqiptarët.
Dr. Faik Shkodra, tha se poetja Shqipe Isufi komunikon bashkë poezitë, përdorë mjete stilistike, komunikon me të gjitha kohët, me çështjet më të rëndësishme, i këndon atdheut, nënës, babait, Gjilanit, kohës e kurbetit.
Me një vështrim për veprën “Dy lulet e mia” të autores Shqipe Isufi, është paraqitur edhe redaktori Sylejman Dërmaku, i cili tha se në këtë vepër lexuesi do të gjejë larushi poezish. Sipas tij, në vargjet e Shqipes vërehet malli për atdheun, vendlindjen e prindërit e poetja gjenë ngushëllim në vargje për të gjitha poret e jetës.
Autorja e librit Shqipe Isufi thotë se poezitë ia kushtova vetes dhe familjes sime në radhë të parë dhe pastaj shumë mërgimtarëve kudo që jetojnë.
“Në vargjet e mia pasqyrohen halli dhe dilema që ka “Në vargjet e mia pasqyrohen halli dhe dilema që ka çdo shqiptar anekënd botës”, ka thënë autorja Shqipe Isufi, e cila tashti bashkë me familjen e saj, bashkëshortin dhe dy fëmijët jeton në Zvicër, ku punon si mësimdhënëse dhe tashti është në përgatitje të një libri me poezi në gjuhën gjermane.