Kryeministri Albin Kurti, iu kundërpërgjigj deputetit Ramush Haradinaj, i cili në foltoren e Kuvendit të Kosovës e quajti “good guy” (djalë i mbarë), pas vendimeve të fundit të ndërmarra në veri të vendit lidhur me barrikadat, duke aluduar kështu se shefi i qeverisë ka filluar të “zbutet”.
Para deputetëve, i pari i ekzekutivit tha se i tillë, pra “good guy” ka qenë gjithmonë dhe se nuk e kuptoj se çfarë vlere paska mos me qenë i tillë.
“Kam besuar në ato që e kam thënë dhe kam vepruar sipas asaj që kam besuar, kjo të bën good guy. Kur është situatë tjetër e rrezikshme për kombin e shtetin kam bërë veprime radikale, por tash nuk është ajo situatë”.
“Kur Kosova rrezikohet me ndarje, me falje të 8 mijë e 200 hektarëve tokë e me “zajednica”, normalisht që jam radikal, por sot nuk është kjo situatë dhe s’ka nevojë. Radikalizmi ka qenë nevojë e situatës – jo tipari im”, deklaroi Kurti.