Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë në fazën përfundimtare të finalizimit të Projektligjit për zyrtarët publikë.
Sveçla para deputetëve të Kosovës, ku sot është thirrur në interpelancë për këtë çështje, tha se ekzekutivi përmes ndryshimeve do të adresojë problemet që janë gjetur nga Gjykata Kushtetuese.
“Ministria e Punëve të Brendshme përmes ndryshimeve që do të ofrojë me ligjin për zyrtarët publik, synon që të adresojë jo vetëm problemet që janë gjetur nga Gjykata Kushtetuese, por edhe problemet e identifikuara në praktikë gjatë kohës së zbatimit të këtij ligji dhe atyre që janë identifikuar, si rezultat i analizave të bëra nga ministra që drejtoj. Si Ministri bartëse për hartimin e këtij Projektligji që një kohë jemi duke hartuar dhe miratuar një ligj, i cili në harmoni me të gjetura nga kushtetuesja adreson ato dhe njëkohësisht përkon edhe me parimet dhe prioritetet e qeverisë. Në këtë drejtim, jemi në fazën përfundimtare të finalizimit të ligjit që presim shumë shpejtë të procedojmë në konsultim”, tha ai.