Të shtunën pasdite është ndaluar të hyjë në Kosovë, Daria Aslamova, e cila nga shumë shtete është vërtetuar se ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse, duke vepruar si gazetare.
Lajmin e kishte bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës.
“Në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”, shkroi Sveçla në Facebook.
Tutje, ai tha se tentimi i Aslamovas për të hyrë në Kosovë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, “i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”.
Lidhur me këtë ndalim ka shkruar edhe Reuters, duke thënë se Rusia aleati kryesor i Serbisë.
“Rusia është aleati kryesor i Serbisë dhe njëjtë sikur Beogradi, është kundër pavarësisë së Kosovës”, shkruan Reuters.
Në këtë artikull, prestigjiozja përmend edhe situatën e tensionuar dhe sulmin e djeshëm ndaj Policisë së Kosovës.
“Kosova i është bashkuar ndëshkimeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së kundër pushtimit rus të Ukrainsë dhe tashmë ka vendosur sanksione”, theksohet aty. /Telegrafi/