Shkruan: Ilir A. Tahiri
Albin Kurti nuk është udhëheqësi më i keq në historinë e Kosovës, siç e portetizojnë disa, sepse më të këqij se Ai kanë qenë Rrahman Morina dhe Bujar Bukoshi.
Është gabim të thuhet për Albinin si “kryeministri më i keq në historinë e Kosoves”, kur dihet se gjatë historisë kemi patur udhëheqës e kryeministra shumë më të këqij se Ai.
Të thuhet se kryeministri Kurti është kryeministri ose udhëheqësi më i keq në historinë e Kosovës, e të mos permendet Rrahman Morina dhe Bujar Bukoshi, është fshehje e së vërtetës.
Të rinjët e Kosovës kanë nevojë për të vërtetën e saktë, e jo për gjysmë të vertetën.
Duke mos e përmendur të kaluarën; udhëheqësit e asaj kohe; periudhën nëpër të cilën kemi kaluar si popull, ne e kemi krijuar një bindje te gjeneratat e reja se Kosova ka lindur në vitin 1999, dhe se ata të cilët kanë udhëhequr nga 1999 e deri me tani, i kanë sjellur të gjitha të këqijat Kosovës, e që në fakt periudha më e ndritur e historisë së Kosovës është periudha nga viti 1999 e këndej.
Duke e fshehur të vërtetën e errët, ne po e errësojmë të vertetën e ndritur.
Lënia anash e periudhës para vitit 1999, sa është e dëmshme është edhe e qëllimshme.
E dëmshme sepse Kosova ka mbetur mbrapa si pasojë e udhëheqësve të asaj kohe.
E qëllimshme sepse ata të cilët kanë udhëhequr në atë kohë, duke u marrë me periudhen e luftës dhe të pas luftës, kanë krijuar bindje qytetare se ajo kohë ka qenë koha në të cilën shqiptarët kanë bërë jetë dinjitoze: me fabrika, universitet, pa korrupsion, me punësime e blla blla…, ama, kurrë pa e përmendur dhunën, represionin, burgosjet, përjashtimet nga puna, helmimet e shkollarëve shqipe, vrasjet e ushtarëve në armatën jugosllave, diferencimet politike, izolimet dhe shumë të këqija të tjera, vargu i të cilave nuk e di ku përfundon.
Të thuhet se Albin Kurti është udhëheqësi më i keq në historinë e Kosovës e të mos përmendet Rrahman Morina (shërbëtori i Milosheviqit) dhe lloji i udhëheqësve sikur Ai, është fshehje e krimeve të ndodhura në kohën e tyre, është amnisti dhe keqinformim i opinionit.
Si pasojë e kësaj propagande, Kosova është vendi i vetëm i cili ende nuk i ka denuar krimet e atij sistemi.
Te thuhet se Albin Kurti është kryeministri më i keq në historinë e Kosovës, e te mos permendet Bujar Bukoshi, edhe ky është keqinformim, fshehje e keqpërdorimeve të tij.
Është edhe njëfarë amnistie për qeverinë e kohës së tij, kur botërisht dihet se Bujar Bukoshi, si Kryeministër, ka qëndruar jashtë Kosovës, me ç’rast ka këqperdorë edhe mjete për të cilat ende hetohet nga institucionet e drejtësisë në Kosovë. Ka shantazhuar, nuk i ka dërguar të gjitha mjetet në luftë, sikundër që i ka ndërprerë edhe shpenzimet për zyren e presidentit Rugova. Çdo dërgesë që e ka derguar në Kosovë, e ka derguar me kushte, dhe nëpër njerëz të tij. Për një kohë e ka bojkotuar edhe luftën çlirimtare.
Prandaj, Albin Kurti nuk është udhëheqësi më i keq në historinë e Kosovës, sepse me të këqijë se Ai kanë qenë Rrahman Morina dhe Bujar Bukoshi.
Historia e Kosovës nuk fillon në vitin 1999. Viti 1999 është viti kur Kosova është çliruar.