Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se më 1 shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Ndërkaq, lidhur me vendimin për dokumentet serbe, ai kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë.
Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiq tha se me Kosovën nuk u arrit zgjidhje kompromisi për këto dy tema.
“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha ai.
Sipas presidentit serb, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”.
Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës zyrtare që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
“Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta”, tha Vuçiq.
“Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”, shtoi ai.
Për dokumentet serbe, në pritje të “përgjigjes së zyrtarëve evropianë”
Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiq tha se ato mund të lëshohen, por shtoi se për Serbinë është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova.
Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që ato të kenë një përjashtim:
“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara, tha Vuçiq.
“Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, tha Vuçiq, duke thënë se po insistohet që serbët në veri të Kosovës të mund të hyjnë në Kosovë me dokumente të Serbisë, por shtoi se për këtë gjë po pret përgjigje nga zyrtarët evropianë.
“Nëse na e konfirmojnë këtë, ne do të kemi një problem më pak. Çështja e targave është shumë më e komplikuar”, tha Vuçiq.
Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, nxitën pakënaqësi te serbët në veri të Kosovës. Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të ekzekutivit kosovar.
Pasi u hoqën barrikadat në pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.
Që atëherë, bashkësia ndërkombëtare, ka tentuar që të bindë palët që të gjejnë një zgjidhje për këto dy vendimeve, me qëllim që të mos përsëritet përshkallëzimi i situatës.
Por, takimet e Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, rezultuan pa marrëveshje.
Në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave qëndruan në Prishtinë dhe Beograd ku u takuan me liderët politikë. Zyrtarët perëndimorë diskutuan me liderët e dy shteteve për parandalimin e përshkallëzimit të mundshëm të situatës.
Në një konferencë për media në Beograd, më 26 gusht, Escobar tha se SHBA-ja po kërkon nga të dyja palët që të zotohen se nuk do të ketë dhunë.
Sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, nga 1 shtatori të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Ky dokument lëshohet nga Serbia për shtetasit e Kosovës, qëkur palët arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes 11 vjet më parë.
Ndërkaq, vendimi për targat serbe konsiston në riregjistirmin e tyre në RKS (Republika e Kosovës). Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.
Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targat e mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga kryeministri Kurti.
Ndërkaq, sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Kosova ka thënë se është e gatshme të heqë dorë nga lëshimi i tyre, nëse edhe Serbia bën të njëjtën gjë./REL