Krahas kërkesave dhe grevave që po mbahen në vend nga punëtorët e sektorit publik për mbështetje financiare në paga shtesë, po kërkohet po ashtu mbështetje financiare prej qeverisë edhe për punëtorët e sektorit privat me nga 100 euro.
Si rrjedhojë e krizës energjetike dhe inflacionit të lartë, sektori privat po ballafaqohet me probleme financiare, ruajtjen e vendeve të punës dhe prodhimin.
Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu thotë për KosovaPress se situata ekonomike dhe sociale në Kosovë është rënduar si pasojë e inflacionit dhe krizës energjetike.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës thekson se Qeveria e Kosovës duhet t’i trajtojë të gjithë sektorët e punës njësoj dhe nuk duhet anashkaluar sektorin privat i cili është mbushës i buxhetit të shtetit.
Gërxhaliu thotë se edhe punëtorët e sektorit privat duhet të mbështeten me nga 100 euro.
“Është koha kur institucionet kosovare duhet të kenë qasje gjithëpërfshirëse jo sektoriale apo të fragmentuar. Në këtë drejtim nuk duhet të anashkalohet sektori privat, por problemet që minimizohen dhe nuk trajtohen si probleme po dalin të jenë të mëdha. Nuk e kemi pranuar që agjenda politike dhe dialogu duhet të jenë prioritet i prioriteteve apo do të dominojnë në agjendën ditore, dhe kam drojë që falë këtij dominimi të agjendës politike dhe dialogut Kosovë-Serbi, shumë probleme ekonomike po anashkalohen, nuk po ka kohë për trajtim. Prandaj duhet të trajtohet edhe sektori privat dhe të punësuarit në sektorin privat për ta shijuar ndihmën e shtetit”, thekson Gërxhaliu.