Këshilli i Prindërve i Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të pranojë që nxënësit në vend t’i zëvendësojnë orët që janë duke u humbur si pasojë e grevës së punëtorëve të arsimit në këtë fillim të shtatorit.
Në një reagim publik të premten, KPK-ja ka thënë se do të mobilizohet që të bojkotohet zëvendësimi i orëve mësimore që po humbin tash.
“Duke shprehur indinjatën tonë të thellë për mos lëvizjen e palëve drejt dialogut social dhe vazhdimin e dëmtimit kryekëput të interesit të fëmijëve dhe prindërve, ia bëjmë të ditur të gjitha institucioneve se Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës do të mobilizohet dhe do t’ju bëjë thirrje të gjithë prindërve që të bojkotohet zëvendësimi i orëve të humbura nga greva. Nuk duam të pranojmë edhe të dëmtohemi nga greva edhe t’ju përshtatemi orareve jashtë ditëve të punës apo jashtë kalendarit vjetor të mësimit”, thuhet në reagim.
Dita e parë dhe e dytë e vitit të ri shkollor ka gjetur shumicën e shkollave të mbyllura. Sindikata e Arsimit dhe sektorët tjerë publikë në shumicë kanë hyrë në grevë duke kërkuar 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.