Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme, ndërsa në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit nr.06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli një ditë më parë u shpreh i bindur se demarkacioni do të kalojë në Kuvend.
Edhe ambasadori Greg Delawie si dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova kanë bërë thirrje për miratimin e demarkacionit.
Në ditën kur në seancë do të jetë në rend dite demarkacioni me Malin e ZI në Kosovë do të qëndrojnë për vizitë zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, bashkë me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe komisionarin për Zgjerim Johannes Hahn.
Ndryshe, kjo është përpjekja e tretë e Kuvendit të Kosovës për mbajtjen e seancës për demarkacionin, pasi javën e kaluar ka dështuar mbajtja e dy seancave të parapara me këtë rend dite.