Nxënësit kosovar, ndonëse në liri, ende nuk kanë nisur zyrtarisht mësimin, si shkak i grevave nga mësimdhënësit.
Por, bashkëkombasit e tyre në Luginë të Preshevës, mësimin e nisën më 1 shtator, ndonëse me një veçori tejet diskriminuese.
Sipas nënkryetarit të Bujanocit, Shqiprim Musliu, nxënësit shqiptar, në të gjitha shkollat shqiptare, u detyruan ta nisin orën e parë mësimore me 1 shtator, duke intonuar himnin e Serbisë.
Musliu, bëri me dije, se që nga viti i kaluar, Serbia ka aprovuar një ligj, që ua detyron të gjitha shkollave në Serbi, pavarësisht se a i takojnë etnive tjera, të intonojnë himnin serb në orët e para të fillim vitit të ri shkollor.
Numri dy i Bujanocit tha, se më e rënda e kësaj qëndron në faktin, se Stacioni policor në Komunat shqiptare në Luginë, u kërkojnë informata drejtorive të shkollave fillore e të mesme, se a është zbatuar ky rregull. Në rast se nuk zbatohet, sipas nënkryetarit të Bujanocit, gjobat për shkollën e drejtoratin sillen nga 800 në 8 mijë euro.
Veç për këtë çështje, Musliu në Sytë 7 foli edhe për regjistrimin e popullsisë, i cili do të mbahet në muajin tetor në Serbi. Ai bëri thirrje që shqiptarët të marrin pjesë në këtë regjistrim. Madje, kërkoi që edhe luginasit, që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë në këtë regjistrim, njofton Klankosova.tv.