Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë bërë thirrje që të përfundojë greva dhe fillojë mësimi nëpër shkolla.
Kurti ka thënë se të enjten Qeveria me pakon e fundit ka mbështetur gjithë qytetarët, përfshirë edhe mësimdhënësit, dhe ai tha se të gjitha këto po bëhen në përputhje me buxhetin e shtetit.
Kurti dhe Nagavci në fshatin Llugë në Podujevë bashkë me kryetarin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, kanë inauguruar gurëthemelin e shkollës së re “Ilir Kunushevci” në këtë fshat që do të shërbejë për 450 nxënës.
Kryeministri Kurti ka thënë se ka nevojë edhe për më shumë shkolla, mësimdhënie dhe mësimnxënie.
“Kemi nevojë për më shumë mësim, shkolla, kemi nevojë për më shumë mësimdhënie dhe mësimnxënie… Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit nëpër shkolla dhe po ashtu edhe nxënësit. Meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsimim, nuk zhvillohet ekonomia pa mësim dhe edukim”, tha ai.
Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë thirrje gjithë mësimdhënësit të fillojë mësimi dhe të mos humbet asnjë orë mësimore.
“Bëjë thirrje për të gjithë mësimdhënësit që të jenë pranë nxënësve të tyre e bashkë me nxënësit e tyre, ashtu që mos të humbet më asnjë orë e mësimit, sepse dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha për nxënësit”, tha ajo.
Ndërsa Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës tha se ky objekt shkollor do të krijojë kushte optimale për nxënësit por edhe për mësimdhënësit.
“Po e fillojmë këtë punë hiq më pak se pas një periudhe dikur rreth 45 vjeçare , kur është ndërtuar për herë të parë ky objekt shkollor që e kemi mbrapa, dhe duke pasur parasysh gjendjen jo të mirë dhe kushtet jo të mira të cilat mbretërojnë në këtë objekt. Po e fillojmë këtë inaugurim të këtij objekti shkollor që do të krijojë kushte optimale për nxënësit por edhe për mësimdhënësit të cilët do të vijojnë mësimet këtu”, tha ai.