Kosova është vend relativisht i vogël me qeveri abolutisht të madhe. Janë 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra dhe 70 zëvendës-ministra. Besoj që së paku 2 zëvendës-kryeministra janë të panevojshëm, së paku 7 ministri janë të panevojshme dhe më shumë se një zëvendës-ministër për ministri janë të tepërt. Pra, do të duhej të zvogëloheshin së paku 40% të zëvendës-kryeministrave, së paku 1/3 e ministrave dhe së paku 4/5 e zëvendësministrave, pra që në vend se 70 të jenë 14.
Sikur kjo të mos mjaftonte, me datë 20 dhjetor, kur i mbushi 100 ditë, kjo qeveri e madhe ia dyfishoi pagat vetvetes duke u bërë kështu edhe qeveri e rëndë. Meqë ajo u kritikua dhe akuzua ashpër për këtë vendim nga qytetarët, shoqëria civile dhe gazetarët, tri javë më vonë, ua rriti pagat edhe shërbyesve civil me 4% si dhe pagesën e skemës sociale me 20%, siç u tha. Tamam si te ajo shprehja e popullit: nuk të japin bukë për ta ngopur barkun, por për ta mbyllur gojën.
Për qeverinë e tij me 21 ministra, 5 zëvendës-kryeministra dhe 70 zëvendësministra (gjithnjë me mundësi rritje të këtyre të fundit), Haradinaj ka deklaruar se nuk është pare e humbur kjo. Domethënë nuk tregon se si është fitim, por se si nuk humbim. Në fakt, atij i vie keq të thotë se pikërisht kjo është fitim! Po, pra, fitim i rehatisë së partnerëve të koalicionit të gjerë qeverisës. 70 veta janë rehat. Me ta edhe familjet e tyre. Ndoshta edhe disa miq biznesmenë të tyre. Por, gjithsej nuk bëjnë as 1.000 veta në Kosovën që ka rreth 1,8 milionë banorë. Gjithsesi pakicë e imtë njerëzish që sundon duke blerë pak njerëz të tjerë me paratë që grumbullohen nga të gjithë. Kur nuk ke qeverisje zhvillimore, nuk mund të ndalesh vetëm te një degradim: nga zhvillimi në administrim rrëzohesh mandej edhe nga administrimi në rehatim.
Rezultati në punë e aktivitet, sipas shumë studimesh, është funksion i aftësisë dhe motivimit në varësi nga rrethana: Pra, Rezultati = f (Aftësia x Motivimi) / Rrethana. Shumica dërrmuese e njerëzve, rreth 75% sipas disa studimeve, besojnë që motivimi kryesor për punë për njerëzit e tjerë është rroga, mirëpo ata përgjithësisht nuk e mendojnë këtë për veten e tyre, pra njerëzit besojnë që të tjerët i motivon rroga dhe jo ata vetë: rrogën e kanë në vendin e tretë për vetvete, të paraprirë prej kënaqësisë dhe përmbushjes që vjen nga punët ekzaltuese dhe sfiduese – pra, jo nga shpërblimet e jashtme, por nga ato të brendshme. Rrjedhimisht rritja e pagave nuk do të reflektohet në performancë.
Vetes së tij si kryeministër Haradinaj ia dyfishoi pagën, kurse shefit të kabinetit të tij ia trefishoi. Kjo mu në kohën kur e nënshkruan kontratën e frikshme me Contour Global-in, që kërkon 18,5% shkallë të kthimit të brendshëm në kapital, t’ia garantojmë tregun dhe kredinë dhe ia jep 15 hektarë për 10 euro. Pra, duan që të paguhen më shumë për dëmet më të mëdha që ia shkaktojnë Kosovës.
Të nderuar deputetë,
T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje. Sepse vjedhja nuk është vjedhje sepse bëhet tinëz por për shkak se është vjedhje. Ka vjedhje açik. Psh. kjo rritje e pagave.
Por kjo është veçse pasojë e fundme e një fenomeni të hershëm: edhe me këtë Qeveri, sikurse me të tjerat, ne nuk flasim e nuk bëjmë ekonomi, por veçse financa. Kapitali financiar merr pjesë në ndarjen e shkallës mesatare vjetore të profitit që tashmë është dhënë, dhe jo në formimin e shkallës mesatare të profitit. Sipas pikëpamjes sonë socialdemokrate, rritja e pagave nuk duhet ta ndjek thjesht rritjen ekonomike (pavarësisht strukturës së rritjes), por produktivitetin në ekonomi (nga i cili varet struktura e rritjes). Ama me këtë qeveri është edhe shumë më keq se kaq: kjo qeveri edhe i rrit pagat pavarësisht rritjes ekonomike edhe këtë ia bën veçse vetvetes.
Në vend se të bëhen kursime të vogla që së bashku bëjnë shumë, në shpenzimet qeveritare, dhe të jemi të shlirshëm në rangun makro në Fondin e Kursimeve Pensionale dhe Fondin e Privatizimit, bëhet e kundërta: rriten shpenzimet qeveritare për qeverinë kurse këto dy Fonde mbeten jashtë ekonomisë së vendit pa e facilituar zhvillimin.
Shteti i Kosovës edhe me këtë qeveri vazhdon të jetë si një byro për punësim, mirëpo jo një byro për punësim që të gjen pune diku tjetër por të gjenë vend pune vetëm në këtë byro për punësim! Pra, byro për punësim që të gjen vend pune në byro për punësim. Shteti zhvillimor nënkupton që zhvillimi buron nga brenda dhe ndihmohet prej jashtë; ai vendos bashkëpunimin e shtetit me bizneset; ai i jep prioritet prodhimit. Shteti zhvillimor ka bankë zhvillimore. Merreni me mend, BE-ja ka bankë zhvillimore në Kosovë e vetë Kosova nuk e ka një të tillë për veten e saj. Nuk mund të zhvillohemi pa bankë zhvillimore investive, veçse me banka komerciale. Kapitali i bankës është shumë i shtrenjtë, kurse ai i mërgatës është shumë i lirë – dy ekstreme të humnerës ekonomike të Kosovës janë pikërisht këto: kapitali i bankës shumë i shtrenjtë e kapitali i mërgatës shumë i lirë.
Drejtësia dhe punësimi janë dy gjërat vendimtare për Kosovën si shtet. Tash, kemi aq shumë korrupsion dhe papunësi, e pranojnë të gjithë. Shtrohet pyetja, si bëhet që Kosova ka kaq shumë korrupsion dhe ministrat e brendshëm e të drejtësisë kurrë nuk u shkarkuan a dorëheqën asnjëri asnjëherë?! Sepse asnjëherë nuk kishim qeveri të përgjegjshme që jep llogari, por vetëm qeveri që rehatohet për vete e ty t’i merr paratë. E ky korrupsion bëhet faktor shtesë në mungesën e zhvillimit, përveçse mungesa e zhvillimit është ajo e cila i jep hov korrupsionit.
Në Kosovë gati 3/4 e të papunëve janë të papunë afatgjatë, pra për më shumë se 12 muaj të papunë. Dhe, pothuajse 1/3 e të rinjëve të moshave midis 15 dhe 24 vjeç nuk janë as të punësuar, as në shkollim dhe as në ndonjë trajnim. Shkalla e punësimit tek këta është vetëm 8,5%. Po e përshkruaj e shpjegoj kontekstin i cili ka ndodhur rritja e pagave të qeverisë për veten e saj. Shkalla e papunësisë në Kosovë është 32,9% mirëpo shkalla e punësimit është shumë e ultë, vetëm 25,2% në raport me popullsisë, sepse popullsi ekonomikisht aktive konsiderohen pak: 2/3 e popullsisë janë shpallur ekonomikisht joaktive dhe mbi 80% të grave janë shpallur ekonomikisht joaktive! Në Shqipëri, raporti i punësimit me popullsinë është dyfish më i lartë sesa në Kosovë: 52,9%! Madje edhe Bosnja dhe Hercegovina është rregullisht më mirë se Kosova duke na lënë neve në vendin e fundit në Ballkan.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Nëse do ta shikonim “punën” thjesht si mall që hyn në kërkesën dhe ofertën e tregut, ku secili individ ka zgjedhjen e lirë për të punuar ose jo, do të bënim një gabim të madh. Nëse do ta shikonim pagën në punë thjesht si çmimin për fuqinë punëtore, që është e lirë të zgjedhë nëse do të punojë ose jo dhe në cilën punë do të angazhohet, atëherë do ta thellonim këtë gabim. Kur flasim për të varfërit, kur flasim për njerëzit e diskriminuar në shoqëri, të cilët në Kosovë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë, puna nuk është çështje zgjedhjesh individuale dhe dëshirash, puna është nevojë jo vetëm për t’u përmbushur individualisht e për të kontribuar në shoqëri, por pikësëpari puna është domosdoshmëri për të siguruar jetesën përmes pagës. Për të varfërit puna dhe paga në punë nuk kanë alternativë, për ta nuk ka zgjedhje. Të varfërit duhet patjetër të punojnë e të paguhen për punën e tyre në mënyrë që të jetojnë. Në mënyrë që të mbijetojnë!
Prandaj, çështja e punës me një rrogë të drejtë që siguron jetesën dhe dinjitetitn njerëzor, është çështje themelore e të drejtave të njeriut. Në preambulën e statutit të Organizatës Botërore të Punës, e cila është një prej Agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan se “sigurimi i një page për një jetesë të përshtatshme është një prej kushteve për paqe universale dhe të qëndrueshme të bazuar mbi drejtësinë sociale”.
Që shteti e ka këtë të drejtë ndërhyrëse dhe rregulluese për këtë çështje, është tashmë temë e ezauruar, sepse Republika e Kosovës e ka të caktuar pagën minimale për të gjithë qytetarët në vlerën 170 Euro për ata mbi 35 vjeç, dhe 130 Euro për ata nën këtë moshë. Nuk jemi duke folur sot nëse duhet apo jo shteti të ndërhyjë, për këtë kemi rënë dakord që më herët si shoqëri, pra që shteti duhet të ndërhyjë, e aq më tepër për sigurimin e një prej të drejtave themelore të njeriut siç është paga minimale për një jetë dinjitoze në Kosovë. Sot jemi këtu për të diskutuar e vendosur për heqjen e dallimit në pagë minimale bazuar mbi moshën e një punëtori. Ky dallim edhe është diskriminues, edhe penalizon rininë e Kosovës që përbën grupmoshën më të madhe të shtetit të Kosovës. Ndërhyrja në caktimin dhe rritjen e rrogës minimale konsiderohet si normale jo vetëm në shumicën dërrmuese të vendeve të Evropës dhe të demokracive liberale në botë, por edhe më gjerë.
Ashtu siç veprohet edhe në shtetet e Evropës perëndimore e sidomos asaj veriore, edhe në Kosovë kapitalizmi duhet orientuar dhe menaxhuar. Populli në Kosovë nuk mund të vazhdojë të jetojë nën një sistem të egër. Social-demokracia e ka për synim rishpërndarjen për të ulur pabarazinë në shoqëri. Rishpërndarja nuk është thjesht e dëshirueshme nga ana sociale, por siç ka shpjegur ekonomisti i mirënjohur anglez John Mayard Keyenes, rishpërndarja është edhe racionale nga këndvështrimi ekonomik. Sa më e vogël pabarazia në shoqëri aq më e madhe kërkesa agregate në atë shoqëri. Një ekonomi dinamike ka nevojë për një kërkesë më të madhe në treg. Prandaj, pikërisht zvogëlimi i pabarazisë i ndihmon edhe ekonomisë, jo vetëm shoqërisë. Prandaj, ne angazhohemi që të heqet dallimi i moshës për pagën minimale dhe kjo përbën një prej pikave të mocionit tonë sot.
Paga minimale nuk do të duhej të varej as nga rritja ekonomike. Paga minimale përcaktohet nga nevojat elementare të njeriut. Paga mesatare le të varet nga rritja ekonomike dhe produktiviteti.
Në Kosovën e pasluftës, vazhdimisht kemi pasur parti të djathta që kanë rehatuar së pari veten në qeverisje. Orientimi i tyre është i dështuar. Duke qeverisur, ato i kanë institucionalizuar dështimet. E kanë lodhur shtetin pa punë, e kanë dobësuar shtetin me forcë. Kosova ka nevojë për qeveri progresiste.
Ju falemnderit.