Shkruan: Avni Rudaku
Isha duke u bërë gati për të dalë, veç thashë të hy në FB dhe ta kryej një bisedë të shkurtër me një shok, veç kur më doli lajmi për vdekjen në moshë të re të një mjeku dhe një figure që e kam parë tepër shpesh në qytetin tim që nga fëmijëria. M’u dhimbs shumë.
Shumë po vdesin të rinj, të krijohet përshtypja nga mediet sociale. E sidomos kur po vdesin figura që i njeh, njëfarë tronditje, njëfarë prishje e disponimit 24-orësh. Prandaj, definitivisht, kush nuk ndjek mediet sociale prej mbrëmjes e gjer në mëngjes, edhe fle më mirë, edhe më fle më rehat, edhe e bën gjumin tip-top, edhe fle më i disponueshëm. Njëfarë pikëllimi kur vdes dikush aq i ri, që e ke njohur dhe në moshën më të mirë.
Një dhimbje edhe më e madhe kur e ka profesionin e mjekut, pasi që vjetët e fundit, kemi emigrim masiv të mjekëve, infermierëve, dhe në një anë ikin jashtë vendit, dhe në anën tjetër, lajmi tragjik, ikin edhe në amshim, aq të rinj. Ja jashtë vendit, ja jashtë kësaj bote, dynjaje, jete! Shumë e dhimbshme. Disi veç ma përforcon bindjen se nuk po gaboj që paranë që po e kam, po eci e shëtis. Një jetë po e kemi, bile ta shijojmë sa të mundemi!
S’di, tepër m’u dhimbs Visari! Nuk kam folur me të, ama si figurë, tepër shpesh e kam njohur. Ka qenë djalosh, i urtë, i edukuar, nuk di që dikush ka thënë: ma ka tepruar diçka. Edhe më shumë të dhimbset dikush që e ke njohur si figurë, si djalosh, si pjesë e qytetit tënd.
Lamtumirë Visar, figurë e njohur e qytetit tim!
Shumë m’u dhimbse!
Në paçtë diçka përtej kësaj bote, qofsh diku ku është më së miri!Mos paçtë, qoftë mirë për njerëzit e tu që të rrethojnë! Jetofshin me kujtimet për të! Tekembramja, vetëm kujtimet mbesin që ta përjetësojmë individin!