Albin, a je me Ronaldon, me Mesin, për Mercedesin a BMW-në?!
“6 ditë para zgjedhjeve të qershorit në vitin 2017, SBASHK-u bëri marrëveshje me PAN-in.” Këtë po e thotë Kryeministri Albin Kurti. Bindja ime e thellë nga fillimi është se, Kurti e mban mend edhe orën, e lëre më ditën e datën, e çdokujt që nuk është në anën e tij. Është tip hakmarrës, pak nëse e kundërshtoni, kritikoni ose nuk jeni me të. Nuk e kuptoni këtë, pa e njohur më personalisht. Pa pasur përvojë e punë me të, direkt.
Jam i bindur se problemi kryesor Qeveri-SBASHK ēshtë:
Kurti mendon se SBASHK-u është me partitë e tjera. Dëshiron t’i përçajë mësimdhënësit dhe ta ndërrojë udhëheqësinë e SBASHK-ut.
Kurti nuk mund të rri, pa kontrollin e çdo gjëje. Nëse nuk e kontrollon një gjë, personalisht, krijon frikë e ankth se çfarë mund të bëjnë kundër tij. Ka ankthin e dikurshëm të infiltrimit të SHIK-ut në organizatë, UNMIK-ut, EULEX-it, nga përvojat e këqija gjatë kohës së veprimit të tij si opozitar, me polici, hetuesi e gjyqësi. Ka një përvojë të keqe me ish-FER-in e PSD-në, që kujtoi se do të mund ta rrëzonin nga brenda, sa ishte në burg. Dhe në fund, e ka ankthin e rrëzimit kontinuel, nga përvoja me Administratën e Donalld Trampit dhe veçanërisht me R. Grenellin.
Kurti nuk rri dot rehat, pa e pasur nën kontroll çdo sindikatë me njerëzit e tij që i beson; pa e kontrolluar çdo institucion, autoritet, agjenci, bord e komision.
Sindikatës dhe mësimdhënësve, ia ka krijuar armiqtë: nxënësit e prindërit.
Shërbyesve civilë, me një projektligj të ri, për t’i frikësuar, e që po kritikohet shumë.
Gjykatësit e prokurorët nuk i ka nën kontroll dhe përpiqet t’i frikësojë me vetingun.
Me fjalë të tjera, Kurti nervozohet me çdokend që e kritikon atë. Ai vazhdimisht frikësohet nga diçka që nuk e ka nën kontroll të plotë. Vuan edhe nga dëshira që cilësohet atipike: me dashtë të gjithë. Ai nuk pyet sa e dua dikë, por pyet sa më duan të tjerët mua?! Madje, habitet, nervozohet, nëse nuk e duan të gjithë, pa dallim. Nuk i mjafton as kur e doni të gjithë, por duhet vazhdimisht, pa e vënë në pikëpyetje. Dhe nëse nuk bëheni me të kundër atyre që nuk po e duan pa kushte! E në demokraci, barazi e integritet, nuk ka asnjë shans për kontroll total.
Vetëm në totalitarizëm ka kontroll total, por duhet veç me frikë, izolim, cenzurë, autocenzurë, burgim e heqje jete.
Prandaj, Kurti duhet të mësohet: askush nuk është kundër teje, por kundër ideve ose vendimeve të caktuara.
Është krejt normale të mos jenë të gjithë me ty.
Imagjinoni, kush është Ronaldo, ose Mesi, njerëzit janë të ndarë: miliona me Ronaldon, në mos miliarda, e miliona me Mesin.
Miliona me Mercedesin, miliona me BMW-në.
Opinioni është heterogjen, i ndarë, diversiv, demokratik, veçmas me hyrjen në komunikim publik të medieve sociale e digjitale, ku çdo përdorues/e është me mundësinë për të qenë edhe vendimpranues, edhe vendimmarrës, edhe lexues, edhe autor, edhe spektator, edhe aktor, edhe pacient, edhe mjek, duke ndarë opinionet e veta, përvojat, pëlqimet e prapakthimet.
Edhe vetë Kurti mund të na tregojë për preferencat e tij për Ronaldon, Mesin, Mercedesin, BMW-në?!