Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po do dialog për zgjidhjen e kërkesave të grevistëve.
Përmes një komunikate për media, SBASHK -u i ka bërë thirrje Qeverisë për dialog për të dalë nga kjo situatë.
“Qeveria Kurti nuk do dialog e zgjidhje të kërkesave të grevistëve, kërkesa këto të prezantuara e të mohuara e të injoruara tani e sa muaj, por do rrugëtimin e vetë të përbuzjes, nënçmimit, linçimit përmes deklaratave, që pastaj shumëfishohen e pasurohen nga militantë nëpër facebook. Ikje nga dialogu me sindikatat, që pushteti do t’i shoh të shuara, e vizitat nëpër komuna me dhembje të rrejshme për situatën dhe për fëmijët që nuk janë në shkollë e për qytetarë që nuk po mund të marrin një dokument në komunë janë rrugëtim i gabuar i qeverisë. Në vend të kësaj duhet dialogu i sinqertë e në prani të medieve të nderuara për të dalë nga kjo situatë. Por, mbase kjo situatë po i konvenon Kurtit dhe qeverisë së tij”, thuhet në njoftim, përcjellë teve1.info.
“Duke parë gjithë këtë luftë kundër zërit sindikal të anëtarësisë e duke demantuar me fakte e argumente se as SBASHK e as Sindikata e shërbyesve civilë nuk kanë vepruar kurrë e as nuk veprojnë si qeveria tani me shantazhe e kërcënime ndaj grevistëve, po respektojnë vullnetin dhe zërin e anëtarësisë e për ta lehtësuar plagën në shpirtrat e një numri të vogël të anëtarësisë, që nga presionet e vazhdueshme të qeveritarëve po ndahen nga mijëra e mijëra kolegë grevistë dolëm dhe e treguam publikisht se SBASHK ka frymuar dhe vazhdon të frymojë lirshëm dhe se ishte dhe mbetet shembull i shkëlqyer i demokracisë. Mbetet i tillë edhe tani karshi presioneve të papara të Qeverisë e një pjese të fansave të saj, që kanë humbur njerëzoren dhe krenarinë e traditën e kombit tonë”, thuhet tutje në komunikatën e SBASH-ut.
SBASHKU-ka kritikuar edhe kolegët që u larguan nga greva.
“Ju numri tepër i vogël i kolegeve e kolegëve tanë që po ia bëni qejfin pushtetarëve sot është zgjedhje e lirë juaja, por kolegët tuaj në kohë të tjera kur qeverisnin partitë që ata i kishin votuar, qëndronin të pa luhatur në grevat e tyre për të realizuar kërkesat legjitime e duke ruajtur unitetin me moton Bashkë e në SBASHK. Mijëra të punësuar në arsim që nga çerdhet e deri në universitete dhe ata në shërbimet publike vazhdojnë të qëndrojnë dinjitetshëm në grevën, që nuk e deshën, por erdhën deri te ajo pasi që qeveria injoroi e po injoron dialogun serioz dhe kërkesat e tyre. Qeveria me angazhime konkrete e vendime të pranueshme për të dy palët duhet të dëshmohet se është e shqetësuar vërtetë për gjendjen e krijuar. Ajo, në vend të kësaj, vazhdon me presionet ndaj grevistëve dhe tregon se qëllimi i saj, sikur është, futja e përçarjes dhe ngulfatja e zërit sindikal. Këtë askush nuk e ka arritur deri tani e nuk do ta arrij dot as kjo qeveri”,thuhet në njoftim.
“Edhe kjo sfidë do të kalojë dhe mjerë ata që do të ulin kokën nga turpi”, thuhet në fund të komunikatës.