Në 4 mars 1789, në Nju Jork është mbledhur Kongresi i Parë i ShBA-ve, duke vënë në fuqi kushtetutën e atij vendi, e njëkohësisht duke propozuar “The US Bill of Rights”, Kartën e të Drejtave, e cila përmes disa amendamenteve shumë të rëndësishme kufizon fuqitë e qeverisë dhe të ekzekutivit, dhe garanton liri e vendimmarrje të zgjeruara qoftë të individit, po ashtu edhe të komuniteteve apo të vetë popullit.
Janë interesante argumentat dhe debatet e palëve mbi kushtetutën dhe institucionet, para se këto të hynin në fuqi. Përplasjet e natyrave filozofike, juridike e etike kanë qenë të mëdha, e gati të papajtueshme, sidomos mes pozicioneve të federalistëve dhe antifederalistëve.
Megjithatë, ende ofron frymëzim përkushtimi i shtetarëve të mëdhenj, Washington-it e Madison-it, të cilët nuk u ngutën për të institucionalizuar shtetin e ri, edhe pse situata pas luftës çlirimtare mund të dukej urgjente. Ata e panë të udhës të përfshinin një mori kërkesash edhe nga palët opozitare, e këto ishin themeli i Kartës së të Drejtave. Urtësia e këtyre shtetarëve është se ata me këto amendamente e vunë nën kontroll dhe e kufizuan pushtetin e qeverisë, e në të njëjtën kohë garantuan më shumë të drejta për individët dhe popullin. Këto ishin veprime që do ta rritnin edhe legjitimitetin e institucioneve, edhe nivelin e demokracisë.
Është e rëndësishme të marrim shembuj nga përvojat e shëndosha demokratike e nga historitë e shteteve të suksesshme, edhe ne në vendin tonë, ku qeveria nënshkruan marrëveshje pa pyetur Kuvendin, ku popullit i mohohet e drejta për referendum, e ku individët janë tërësisht të shpërfillur prej institucioneve abuzive, e prej pushtetarëve të cilët i shërbejnë veç vetes dhe oligarkëve.