Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth grevës në sistemin arsimor që po mbahet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
Në një prononcim për media pas votimit për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti u shpreh se pret që mësimi të fillojë sa më parë.
“Duhet që mësimi të fillojë sa më parë. Është dashur të fillojë me një shtator. Jam i bindur që nxënësit duan të shkojnë në shkollë, jam i bindur që prindërit duan që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, jam i bindur që edhe mësimdhënësit duan të japin mësim nëpër shkolla. Këtë bindje ka edhe qeveria. Nuk duam që të bojkotohet shteti, sepse shkolla është shteti”, deklaroi Kurti.
Tutje, ai i ka quajtur grevistët si “sindikalistë të PAN-it”, duke thënë se kanë inati anti-qeveritar që, sipas tij “iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017”.
“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, shtoi kryeministri.