Shkolla fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytet ka njoftuar se që nga nesër do ta ndërpresë grevën duke filluar mësimin me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta.
Në njoftim thuhet se pas takimit të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit Grevist të Sindikatës së shkollës është vendosur që të përkrahet greva deri realizimin e kërkesave të mësimdhënësve po ashtu edhe të filloj procesi mësimor me orar të reduktuar, raporton teve1.info
“Shkolla fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytet ka ndërprerë grevën, pasi që nga nesër (e martë) do të mbajë mësim me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta. Në takimin e sotëm të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit Grevist të Sindikatës së shkollës, pas diskutimeve u vendos që të përkrahet greva deri në realizimin e kërkesave, por edhe në anën tjetër nga nesër, më 27 nëntor të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ndërrimi i parë fillon mësimin në ora 07:30 deri 11:20 dhe ndrrimi i dytë fillon mësimin në ora 12:00 deri në ora 15:00.
Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar nga data 25 gusht e po vazhdon ende.